English

Zv/ministrja e Jashtme, Edith Harxhi kërkon njohjen e Kosovës nga Lindja e Mesme

Bejrut, 22 Nëntor NOA - Në një tur që po zhvillon në Lindjen e Mesme, delegacioni shqiptar i kryesuar nga Zv. Ministrja e Punëve të Jashtme Edith Harxhi ka mbërritur në Republikën e Libanit.

Në Bejrut Znj. Harxhi u prit nga Kryetari i Parlamentit të Libanit Nabih Berri, nga Kryeministri i Libanit Saad Hariri, Gjenerali i Forcave të Sigurisë së Libanit, Ashraf Rifi, Ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë Mohamed Safadi si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Libanit Ambasadori William Habib.

Gjatë takimeve u diskutua rreth marrëdhënieve mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Libanit, nevojës për intensifikimin e tyre dhe rreth nënshkrimit të disa marrëveshjeve dypalëshe si ajo për nxitjen e investimeve dhe heqjen e taksimit të dyfishtë, marrëveshja për heqjen e vizave për pasaportat diplomatike dhe ato të shërbimit dhe marrëveshja në fushën e turizmit dhe të aviacionit civil.

Gjithashtu Znj. Harxhi i parashtroi Kryeministrit dhe Kryetarit të Parlamentit të Libanit nevojën për njohjen sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës, si një kontribut të madh për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

Pala libaneze tregoi mirëkuptim për çështjen e njohjes së Kosovës duke shpresuar që së shpejti edhe Libani do t'i bashkohet shteteve që e kanë njohur atë.

Kryeministri Libanez Hariri shprehu dëshirën për të vizituar së shpejti Shqipërinë së bashku me një grup investitorësh nga Libani ndërkohë që Parlamenti i Libanit ka lajmëruar krijimin e grupit parlamentar të miqësisë Liban Shqipëri dhe hapjen e Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Tripoli dhe Bejrut.

e.r/NOA

KOMENTE