Tiranë, 23 Nëntor NOA - Ministri i Brendshëm Lulzim Basha paralajmëroi sot se do të ketë përgjigje të shpejtë ndaj atyre që nxisin përdorim dhune, duke iu referuar zhvillimeve të fundit politike në vend.
"Policia e Shtetit ka garantuar dhe do të vazhdojë të garantojë në mënyrën më të plotë të drejtat kushtetuese të çdo qytetari dhe të çdo force politike për protesta paqësore", - deklaroi sot Basha.
Dhuna dhe thirrjet për dhunë do të marrin përgjigjen e merituar ligjore, - theksoi ai, duke siguruar edhe se "aktivizimi i kontigjentit kriminal nuk do të tolerohet"."Ndaj bëj thirrje që të shkurajohet dhe të hiqet dorë nga aktivizimi i këtij elementi kriminal përndryshe pa asnjë pikë hezitimi mbi ta do të vijë dora e rëndë e ligjit", - përfundoi Basha, apelin e tij.
Ditët e fundit, është vërejtur një situatë e tensionuar në kampin opozitar, ku politikanë dhe qytetarë, gjatë ditëve të protestës nuk ngurruan të flasin edhe për përdorim force në arritjen e qëllimit të hapjes së kutive të votimit.
e.r/NOA