Tiranë, 23 Nëntor NOA - "Zgjedhjet e parakohshme do t'i provokojmë me forcën e së vërtetës dhe pasionin politik të një populli të tërë për të mbrojtur të drejtat".
Këtë pohim bëri sot kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama,
në një takim me gazetarë ku iu përgjigj një seri pyetjesh të cilat i gjeni më poshtë:
Ju keni shpallur një ultimatum dhjetëditor për qeverinë. Çfarë hapash do ta pasojnë atë?
Unë dëshiroj të bëj një komunikim të hapur lidhur me situatën pas atij aktiviteti të jashtëzakonshëm për nga pjesëmarrja qytetare dhe nga intensiteti ditët e fundit. Kuptohet dhe një shpjegim të mëtejshëm të kësaj periudhe të ndërmjetme që lidhet me afatin e përcaktuar nga lëvizja e re popullore për hapjen e kutive të 28 qershorit dhe rivendosjen e demokracisë në Shqipëri, duke rivendosur legjitimitetin e parlamentit dhe qeverisë në vend.
Besoj se në shpjegimin publik të bërë dje, është thënë qartë që pas 10 ditësh, në rast se Sali Berisha refuzon t'i hap rrugë hetimit të plotë parlamentar të zgjedhjeve duke filluar nga hapja e kutive, hyjmë pashmangshmërisht në një fazë të re të aksionit opozitar dhe hapja e kutive apo më saktë, mos hapja e kutive, bëhet një arsye e mjaftueshme për popullin opozitar që të kërkojë largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.
Sepse gjithmonë ka kohë për të reflektuar, pavarësisht se një qeveri e kthyer në regjim dhe e transformuar nga shprehje e lirë e vullnetit të popullit në shërbim të njerëzve duke deformuar vullnetin e popullit në shërbim të interesave familjare të një oborri të ngushtë njerëzish, nuk karakterizohet nga ndjenja e nevojës për reflektim.
Disa analistë e shohin protestën tuaj si një revoltë të paorganizuar. Ju jeni dakord?
Ka një keqkuptim të madh lidhur me protestën dhe me objektivin e saj. Kjo është një lëvizje popullore demokratike, është shprehje e vullnetit të lirë të një populli të shumicës dhe njëkohësisht është mishërim i një vetëdije qytetare se ka ardhur koha për të mbrojtur dinjitetin dhe për të mbrojtur njëkohësisht liri dhe të drejta, që janë seriozisht të kërcënuara. Një lëvizje popullore demokratike nuk ka të bëj as me dhunën dhe as me format e degraduara të revoltës qytetare. Ajo ka të bëjë me aspiratat të cilat mishërohen në protesta që shprehin më së miri krizën morale të qeverisjes dhe njëkohësisht nevojat kombëtare për zgjidhjen e kësaj krize. Sepse rrënimi i përditshëm moral i qeverisjes, nga një qeverisje për Shqipërinë dhe shqiptarët, në një qeverisje për të përmbushur interesa personale, familjare, klanore të një grupi njerëzish që sot kanë pushtet ilegjitim është në radhë të parë një detyrim i madh qytetar. Kështu që është e kotë dhe e trishtueshme që kjo lëvizje e pandalshme deri në realizimin e objektivit të saj për të rivendosur demokracinë në Shqipërinë, për të zgjidhur përfundimisht nyjen 20 vjeçare që ka të bëjë me lirinë e zgjedhjeve, ndershmërinë e numërimit të votave, për ta hapur perspektivën e një qeverie kombëtare tërësisht me publikun dhe për publikun është një lëvizje e cila nuk mund të shihet dhe trajtohet si një shprehje e një revolte të paorganizuar dhe që ka të bëjë me data e me përmbysje në ato data të qeverisë.
Nuk është kështu dhe nuk do të ndodhë kështu. Sali Berisha do të detyrohet të dorëzohet përpara popullit në rast se nuk do t'i hap popullit rrugë për të parë votën e tij për të shpëtuar nga zgjedha e zgjedhjeve të deformuara dhe të kontestuara.
Konstatohet pjesëmarrje e punonjësve të pushtetit vendor. Cili është komenti juaj?
Bashkitë dhe komunat janë thjesht një pjesë e tërësisë së përfaqësive politike, përfaqësive të grupeve të interesit, atyre sociale, që janë në konflikt me këtë pushtet interesash familjare e klanore, me këtë pushtet që shkel përditë kushtetutën, ligjin, liri e të drejta njerëzisht e grupe shoqërore, apo përfaqësi politike qytetarësh. Është thjesht një pjesë përbërëse e një problemi shumë të madh, që shkon e mblidhet direkt te qeverisja dhe te uzurpimi i pushtetit nga një grup i cili sot nuk përfaqëson aspiratën e demokratëve shqiptar, por përfaqëson vetëm manipulimin dhe abuzimin me këtë aspiratë, transformimin e kësaj aspirate në një mjet për fitime të paligjshme në funksion të familjes në pushtet.
A ka një datë të hyrjes së PS në Parlament?
Opozita nuk do të hyjë në Parlament, derisa Parlamenti të rivendoset mbi themelin e legjitimitetit që e ka të bëjë direkt me zgjedhjet. Ne i kemi dhënë Sali Berishës dhe shumicës së sotme parlamentare që qeverisë me vota të grabitura mundësinë e këtij legjitimiteti, duke hetuar zgjedhjet e shkuara, duke hetuar votat në kutitë e votimit, duke hetuar procesin e numërimit, listat e zgjedhësve, procesverbaleve dhe të gjitha komponentët e tjerë, në mënyrë që pa shpërndarë mandatet të rivendosim ligjin në bazën e procesit zgjedhor dhe t'i japim mundësi procesit të ardhshëm zgjedhor që të mos jetë si ai që lamë pas. Kjo shumicë ka zgjedhur të bëj shurdhin dhe të propagandojë në mënyrë të përditshme me një gjuhë që bëhet përditë e më vulgare, diçka që është tërësisht e kundërta e kësaj që ne kërkojmë dhe që është tërësisht në konflikt me interesin e shqiptarëve dhe me të demokracisë në Shqipëri. Është rruga e gabuar pa dyshim, është rruga që zgjedh çdo regjim i korruptuar, që në fund si shprehje finale e degradimit të tij grabit edhe votën duke korruptuar procesin elektoral, është rruga që çon drejt greminës, maxhorancat që nuk e kanë bazën e tyre te vullneti i popullit, por te deformimi i dhunshëm i këtij vullneti përmes vënies së shtetit në shërbim të pushtetit. Fatkeqësisht. Ashtu si kundër edhe shprehje pantonimike të Kryeministrit apo deklarata vulgare të atij që i thotë vetes Kryeministër, ndërkohë që populli nuk e ka zgjedhur për të vazhduar ta ketë atë detyrë, janë pasqyrë e këtij degradimi. Megjithatë, ne kemi zgjedhur forcën e arsyes, jo arsyen e forcës dhe forca e arsyes dikton që ne të jemi përditë në kërkim të zgjidhjes dhe për të kërkuar deri në fund zgjidhje, kemi dhënë edhe një afat reflektimi për t'i parë gjërat me qetësinë e nevojshme që imponon barra e një pushteti që nuk lidhet thjesht me çështjet e një familjeje në rast se do të shkoj në drejtimin e kundërt të interesave të njerëzve, por lidhet edhe më çështje të tjera që kanë të bëjnë me interesat e gjithë atyre që jetojnë në Shqipëri për të shmangur dëmet që sjell mungesa e reflektimit dhe sa të mundemi kemi dhënë një kohë për të reflektuar.
Si mendoni të arrini synimin tuaj, për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme?
Zgjedhjet e parakohshme do t'i provokojmë me forcën e së vërtetës dhe pasionin politik të një populli të tërë për të mbrojtur të drejtat.
Gjithsesi, ajo që dua të theksoj, dhe që duhet të kuptohet nga të gjithë që lëvizja e re popullore për lirinë e votës, për drejtësinë e zgjedhjeve, për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha që prodhojnë zgjedhjet e deformuara tërësisht nëpërmjet trysnisë së shtetit është një lëvizje që nuk do të ndalet dhe vala e protestave qytetare do të përhapet në të gjithë Shqipërinë. Do të përfshijë që të gjithë, qytetarë, grupe shoqërore, parti politike, komunitete kudo ku janë, në funksion të rikthimit të legjitimitetit të Parlamentit dhe qeverisë në Shqipëri. Në rast se nga ana tjetër në këto 10 ditë nuk do të ketë asnjë reflektim dhe në rast se hapja e kutive do të vazhdoj të shihet si një ogur i zi, pa asnjë dyshim mos hapja e tyre do të jetë ogurzezë për fatin e këtyre institucioneve të marra peng nga ata që duan të vazhdojë regjimin e uzurpimit mbi kurrizin e shqiptarëve pavarësisht nga varfërimi i përditshëm i qytetarëve dhe i familjeve të këtij vendi, pavarësisht nga rëndimi i përditshëm i krizës së demokracisë, shtetit të së drejtës dhe vet ekonomisë. Këtë ne kemi detyrimin kushtetues, politik, moral e qytetar, që të mos e lejojmë. Më vjen keq për spekulimet që bëhen, duke aluduar për veprime të dhunshme dhe për rrëzime me dhunë të institucioneve, sepse kjo lëvizje e përsërisë, nuk ka nevojë të krahasohet me çka është parë për keq në të shkuarën, por do të shihet si vijë e atyre lëvizje të mëdha popullore demokratike, që në të shkuarën e kanë çliruar popullin shqiptar nga pushtete uzurpatore, nga qeveri të kthyera në mjete përfitimi dhe abuzimi në kurriz të shqiptarëve, nga forca të cilat kanë transformuar ata që përfaqësojnë thjesht në numra për të rënduar mbi ta dhe të tjerët. Sepse sot nuk kemi një palë kundër një tjetre në një betejë për pushtet. Sot kemi një popull i cili me të drejtën e Zotit dhe të ligjit, kërkon të shoh votën e tij dhe të çlirohet nga tradita e shëmtuar e zgjedhjeve të deformuara dhe kontestuara. Nga ana tjetër kemi një pushtet i cili kërkon t'ia mohoj popullit këtë të drejtë. Në këto kushte lëvizja jonë drejt objektivit është e pandalshme dhe është e pashmangshme. Shpresoj që të gjithë të jeni të qartë deri në momentin që flasim dhe ndërkohë uroj që të jem shpjeguar mjaftueshmërisht, për të kuptuar se afati 10 ditor është fundi i një kapitulli, i një aksioni opozitar dhe fillimi i një kapitulli të ri. Është zgjerimi i objektivit me detyrimin e pashmangshëm që në rast se nuk hapen kutitë, qeveria duhet t'i hap rrugën popullit, që t'i ridrejtohet kutive të votimit dhe me zgjedhje të parakohshme, të përcaktoj me vullnetin e tij të lirë, qeverinë që do.
Mediat shqiptare cituan ato të huaja që flisnin për tre mijë vetë, pjesëmarrës në protestën tuaj, ditën e parë. Keni një koment?
I gjithë planeti e ka parë nëpërmjet mediave ndërkombëtare më prestigjioze atë që ka ndodhur në Tiranë dhe e ka mësuar edhe arsyet që ajo masë e jashtëzakonshme njerëzish ka për të dalë ashtu siç doli në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Nuk është problemi ynë, por për fat të keq është edhe një shembull më shumë në vazhdën e atyre shembujve që këta zotërinj keqqeverisin pa patur pushtetin e dhënë nga populli, por në një pushtet që ia kanë grabitur popullit, kur thonë se në protestën e opozitës morën pjesë 3 mijë vetë. Ndoshta kështu i kanë numëruar edhe votat, si kanë numëruar protestuesit e opozitës.
Ky është problemi i madh që ata kanë me të vërtetën dhe problemi që rëndon dita-ditës.
FUND