English

"Nëntori 12" koloriti i ngjyrës

Tiranë, 23 nëntor NOA - Kanë ndërruar ‘shtëpi', por jo stilistikën. Janë ngushtuar hapësirat e ekspozimit, por jo fryma e ‘nëntoristëve'.  Ata vazhdojnë të sjellin kolorit, stil dhe ekzistencë.

25 nëntori do të jetë fillimi i edicionit të 12-të të ekspozitës "Nëntori".

Ngushtimi i hapësirave financiare i ka ‘detyruar' kuratorët e saj, që të mbajë këtë edicion në Muzeun Historik Kombëtar. Sipas piktorit Besim Tula, i cili është kuratori i kësaj ekspozite "Që në vitin e parë të hapjes, "Nëntori", i është përmbajtur të njëjtit profil, duke ftuar të marrin pjesë vetëm piktorë të ngjyrës dhe kombinues të mirë të saj".

Këtë vit në këtë ekspozitë "Nëntori" marrin pjesë 32 piktorë, 3 prej tyre artistë të rinj, Andi Hila, Emil Pejtamalli dhe Sonilda Bardhoshi. Në listën e gjatë të pjesëmarrësve dominojnë emrat e piktorëve tanë të traditës si Agim Zajmi, Hasan Nallbani, Ksenofon Dilo, Lekë Tasi, etj.

Kjo ekspozitë, që organizohet prej 12 vitesh ka mbledhur rreth vetes një pjesë të aktorëve tanë figurativë, që kanë arritur rezultate në ngjyrë dhe në vizatim...Dhe, kush është justifikimi. Kjo na vjen sërish në konceptin e Z. Tula, që shprehet "Një prej mënyrave për të arritur rezultat është të ruash një drejtim në art, për të hyrë më thellë në mundësitë e tij. Kjo të krijon përparësinë të arrish në pikën e lartë: të krijosh ‘ngjyrën' tënde.

Sa më shumë t'i përkushtohesh një fushe, aq më i mirë është rezultati".

Tema në ekspozitën "Nëntori" nuk është ndonjë prioritet. Secili artist, mund të mbajë qëndrimin social, filozofik për jetën dhe shoqërinë sipas koncepteve dhe angazhimit të tij, por pika e përbashkët dhe që përbën veçantinë, është sesi i përdor krijuesi ngjyrat brenda sipërfaqes së tablosë.

Për dy javë rresht, në Muzeun Historik Kombëtar do të ekspozojnë pikturat e tyre artistë të njohur shqiptarë, disa prej tyre të pranishëm që në vitin e parë të hapjes së "Nëntorit". Artistët prezantohen me portrete, peizazhe, natyra të qeta, tema të lira.

Modeli i ndjekur deri më tani për punën që pranohet në ekspozitë, është piktura figurative ku është shfrytëzuar mirë ana koloristike e saj. Edhe pa qenë vëzhgues i mirë i artit, përdorimi i ngjyrës vihet re tek të gjithë pikturat që prezantohen këtë vit.

Kush do të jetë e veçanta e ekspozitës "Nëntori" ? Në edicionin e 12-të kjo ekspozitë e piktorëve do të sjellë edhe punë me temë politike. Këtë do e shohim tek Taçi, Guci...

m.s/NOA

KOMENTE