English

Nisin "Ditët e kulturës shqiptare" në Shkup, Tetovë dhe Gostivar

Nga Milena Selimi

Tiranë, 23 Nëntor NOA - Nis manifestimi, "Ditët e Kulturës Shqiptare" në Shkup, Tetovë, Gostivar, i cili do të mbahet nga data 23-28 nëntor 2009.

Një manifestim i rëndësishëm kulturor ku pritet maratonë e fotografisë, filma, koncerte, promovime e ekspozita.

Prej disa vitesh ky manifestim ka zënë një vend të rëndësishëm në jetën kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë.

Manifestimi kulturor "Ditët e Kulturës Shqiptare" do të fillojë ditën e sotme më 23 nëntor dhe do të zgjasë deri më 28 nëntor.

Në një konferencë për shtyp është prezantuar programi i pasur për edicionin e katërt të këtij manifestimi kulturor.

Drejtuesi i manifestimit, aktori Avni Dalipi tha se do të ketë shumë risi. Gjatë pesë ditëve do të ketë koncerte, ekspozita, shfaqje në Teatrin Shqiptar të Shkupit dhe atë të Tetovës. Ditët e kulturës hapen të hënën me shfaqjen "Shumë urime për ty" në Teatrin Shqiptar të Shkupit, për të vazhduar një ditë më pas me "Maratonën e fotografisë" ku mendohet se do të marrin pjesë rreth 15 fotografë nga vendi, Shqipëria dhe Kosova, ku sipas një teme të caktuar do të arrihet raportimi orë pas ore në një maratonë një-ditore fotografike.

Nuk do të mungojnë as recitalet si dhe një maratonë e filmave shqiptarë me metrazh të shkurtër që do të mbahet më 25 dhe 26 nëntor në Teatrin Oda të Tetovës dhe Gostivarit. Mësohet se disa prej këtyre filmave janë: "procesi", "Vdekja Solemne", "Njerëzit e humbur", "Tuneli", etj, produksione të kineastëve shqiptarë në Maqedoni.

Në datën 28 nëntor, me rastin e festës së Flamurit është menduar nga organizatorët ekspozita tradicionale e piktorëve për ditën e Flamurit, e titulluar Draudakum ku do të prezantohen shumë artistë nga vendi, Shqipëria dhe Kosova.

Manifestimi "Ditët e Kulturës Shqiptare" do të mbyllet me koncertin ku do të interpretojë kori filarmonik i Kosovës.

m.s/e.r/NOA

KOMENTE