Tiranë, 23 nëntor NOA - Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar sot në lidhje me ultimatumin i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama duke e quajtur atë si një akt sa qesharak aq edhe domethënës.
"Rama  i dha dje një ultimatum 10-ditor qeverisë dhe mazhorancës së dalë nga zgjedhjet me certifikim planetar të 28 qershorit, të cilat përmbushën standardet kryesore të OSBE-ODIHRI-it dhe për të cilat nuk pati asnjë provë për manipulim rezultati apo numërim të parregullt.
Sipas zotit Rama, në rast se maxhoranca nuk pranon diktatin dhe kërcënimin e tij për rinumërim të votave, qeveria do të përmbyset me dhunën e rrugës.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e denoncon ultimatumin e zotit Rama, me të cilin ai po kërkon të përmbysë themelet e sistemit demokratik, duke e konsideruar atë një akt sa qesharak, aq edhe domethënës" deklaroi sot Astrit Patozi.
Sipas tij, për deputetët e Partisë Demokratike, motivet e këtij kërcënimi janë fare të qarta. "Për të arritur deri këtu, zoti Rama është frymëzuar nga familja e tij historike dhe ideologjike, ati i tij shpirtëror, Enver Hoxha, daja dhe babai i vet biologjik, Spiro Koleka dhe Kristaq Rama.
Por ky ultimatum inspirohet gjithashtu edhe nga familja e tij mafioze e Don Gramozit, Kokëdhimës dhe të tjerë si ata.
Kjo thirrje për të përmbysur me forcë rendin kushtetues dëshmon se ky pinjolli i diktaturës komuniste dhe njëkohësisht bos i familjes më të rrezikshme mafioze të vendit po kërkon dhunojë vullnetin e shqiptarëve e shprehur me zgjedhje të lira më 28 qershor" tha më tej Patozi.
"Grupi parlamentar i PD e fton zotin Rama që këtë ultimatum t'ia nisë Enverit, Spiros apo Kiços, si familja e tij historike dhe biologjike.
Po ashtu një kopje të tij t'ua dërgojë Don Gramozit, Kokëdhimave apo Dulakëve, dhe të tjerëve që bëjnë pjesë në familjen e tij numerike mafioze.
Ne i themi kryetarit të Partisë Socialiste se me dhunë dhe me ultimatume ke vetëm një rrugë: të firmosësh fundin e turpshëm dhe të pashmangshëm politik, për vete dhe për frymëzuesit e tu" përfundoi Patozi.
k.k/NOA