Tiranë, 23 nëntor NOA - Metodat e planifikimit familjar të aplikuara vitet e fundit në vendin tonë prej vitit të ardhshëm nuk do të ofrohen më falas në institucionet shëndetësore.
Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që femrat të shpenzojnë vetë dhe t'i përdorin me dëshirën e tyre kontraceptivët, si mjeti mbrojtës për një shtatzëni të padëshiruar.
"Në strategjinë kombëtare për sigurimin e kontraceptivëve, tashmë ka ardhur koha që këto mjete të blihen nga vetë popullata. Ndërkohë puna jonë do të vazhdojë në edukimin e vazhdueshëm për përdorimin e këtyre metodave", u shpreh ministri.
Ndërsa drejtoresha e Maternitetit nr.2 në Tiranë, Rubena Moisiu, vlerëson se përdorimi i medotave të planifikimit familjar përmirëson jetën e një çifti.
"Përdorimi i kontraceptivëve do të thotë që një çift të bëhet me fëmijë kur të dojë ai, sipas mundësive ekonomike që ai ka, do të thotë që të zgjedhë vetë diferencën mes lindjeve, duke e ndihmuar atë të ecë sipas një planifikimi që ai ka menduar të zbatojë", tha Moisiu.
Drejtoresha e një prej materniteteve më të mëdha në vend, ka theksuar se përdorimi i metodave të kontracepsionit ka ndikuar këto vitet e fundit në uljen e numrit të aborteve sidomos tek moshat e reja, njëkohësisht vihet re dhe një ulje e numrit të lindjeve.
Sipas Moisiut, jo detyrimisht kjo lidhet me planifikimin familjar por është një prej shkaqeve që ka çuar në statistika të tilla.
b.m/NOA