English

Rreziku që vjen nga shpërthimet sociale

Sinjalizimi i fundit nga UNDP, sipas të cilit për shumë qytetarë të Kosovës çështjet sociale mbeten shqetësimi kryesor, është komentuar nga ekspertët si rrezik real për mundësinë e shpërthimit të trazirave sociale

Nadije Ahmeti/ RFE Çështjet socio-ekonomike, papunësia dhe varfëria mbesin kërcënim kryesor i stabilitetit të vendit për shumë qytetarë kosovarë. Kështu thuhet në raportin e fundit të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, UNDP. Po ashtu, rritja e pesimizmit politik dhe rritja e gatishmërisë për të dalë në rrugë për të protestuar, përmenden si konkludimet kryesore në këtë raport. Por, në çka mbështeten pakënaqësitë sociale, të cilat janë ngritur nga ky raport? Ekspertë për çështje ekonomike dhe sociale thonë se pakënaqësitë sociale mund të shfaqen si rezultat i papunësisë, pagave të ulëta në sektorin shtetëror, sigurimeve sociale, atyre pensionale si dhe forcimit të pakontrolluar dhe të egër të sektorit privat. Eksperti i ekonomisë, Sefedin Sefa, thotë se raporti i UNDP-së paraqet gjendjen reale dhe të palakmueshme, në të cilën gjendet Kosova. "Duke marrë parasysh se nuk ka një drejtim, ose një orientim, që do të ndikonte në zhvillimin ekonomik dhe, në të njëjtën kohë, do të ndikonte paralelisht edhe në uljen e pakënaqësisë sociale në Kosovë", shprehet Sefa. Edhe sociologu Fadil Maloku pohon se situata ekonomike dhe sociale duhet urgjentisht të jetë prioritet në agjendën e Qeverisë së Kosovës. "Këta janë dy indikatorë, të cilët e kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë e shoqërisë kosovare. Por, unë do të përmendja një shqetësim tjetër - që institucionet e Kosovës, sigurisht qeveria është duke bërë shumë pak, në drejtim të zbutjes se kësaj pakënaqësie", thekson Maloku. Sociologu Maloku pohon se duke marrë parasysh papunësinë e madhe në Kosovë, reagimet e qytetarëve kosovarë janë të kundërta me reagimet që janë normale në vendet ku ekziston demokracia. Për këtë thotë ai, nëse institucionet kompetente nuk krijojnë parakushte për zbutjen e kësaj gjendjeje, mundësia për nxitjen e trazirave sociale ekziston, pasi, sipas tij, problemet sociale vazhdimisht janë duke u rritur. "Dhe, vetëm çështja apo problemet politike, siç ishte statusi, në një farë mënyre e kanë zbutur durimin dhe për mendimin tim e kanë prolonguar çështjen e revoltës, pakënaqësisë apo një bumi social, i cili po të ishte në cilindo vend tjetër, do të ishte shumë më i ashpër, shumë më i theksuar",shpjegon Maloku. Sidoqoftë, zyrtarë qeveritarë tashmë kanë deklaruar se janë të përkushtuar t'i zgjidhin problemet ekzistuese sociale, të cilat janë pasojë e shkallës prej mbi 40 për qind të papunësisë dhe rreth 20 për qind të varfërisë së skajshme.

KOMENTE