Tiranë, 23 nëntor NOA - Në ditën e 60 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës, një delegacion i Asamblesë Popullore Kombëtare të Kinës ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.
Në takimin me Kryetaren e Kuvendit u theksua se distanca gjeografike mes dy vendeve është e pandjeshme për shkak të marrëdhënieve të forta tradicionale politike dhe ekonomike.
Delegacioni i mbërritur në Shqipëri i përket komisionit të bujqësisë në Asamblenë e Kinës, vend i cili gjatë dekadave të fundit, është kthyer në një prej gjiganteve të ekonomisë në botë.
Anëtarët e delegacionit, duke e konsideruar si shumë domethënëse ftesën e Kryetares së Kuvendit, por edhe vizitat e niveleve të larta të kohëve të fundit, shprehën interes në konkretizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e ekonomisë.
Ecuria e shkëmbimeve tregtare me Kinën ka një tendencë pozitive në vitet e fundit. Eksportet shqiptare drejt Kinës për vitin 2008 janë rritur gati dyfish në raport me vitin 2006.
Kryetarja e Kuvendit duke shprehur kënaqësinë për praninë në rritje të biznesit të madh të Kinës në Shqipëri, tha se kompanitë kineze janë të mirëpritura të investojnë në fushat e energjisë, infrastrukturës, shfrytëzimit të pasurive natyrore apo teknologjisë. Duke u ndalur te bujqësia, Kryetarja e Kuvendit theksoi se programi qeverisës i ka kushtuar një vëmendje të veçantë këtij sektori, prodhimit bio, por edhe trajtimit të fermerëve dhe zonave rurale, që mbeten një aset i ekonomisë vendase.
Kryetarja e Kuvendit përsëriti qëndrimin se Shqipëria njeh vetëm një Kinë, duke shprehur garancinë se ekzistojnë të gjitha premisat për forcimin e dialogut ndërshtetëror në të gjitha nivelet.
k.k/NOAÂ
Â