English

Ubi Sunt - artisti Ervin Hatibi vjen me ekspozitë në Vlorë

Nga Milena Selimi

Tiranë, 23 Nëntor NOA - Artisti Ervin Hatibi do të jetë prezent me një ekspozitë në Galerinë Promenade Gallery në Vlorë, në datat 22 nëntor-10 dhjetor.

Kujtime të hershme të fëmijërisë, gurët e varrezave dhe pyetja "Ubi sunt qui ante nos fuerunt?, e cila në përkthimin në shqip do të thotë "Ku janë tani ata që qenë para nesh?" ka tërhequr vëmendjen e shtypit dhe publikut.

Në parathënien e prezantimit në katalogun e tij Hatibi shprehet mes të tjerash:

"Më tepër për të mjegulluar se për të qartësuar punë, më mjafton të thuhet se kam kaluar gjithë fëmininë me dijeninë se shtëpia ku unë flija, ishte ndërtuar mbi një varrezë. (Varrezë jevgjish-specifikon im atë.)

Në vitet '60, kur hidheshin themelet e pallatit të oficerëve mu përpara oborrit tonë, punëtorët flaknin kazmat të lebetitur sa herë sqepi i kazmës ngrinte për syri ndonjë kafkë apo zbulonte ndonjë dorë tjetër kockash ezmere që skërmiteshin mes baltës.

Për vite të gjata me radhë, pasditet sillnin me vete një alarm numërimi mbrapsh drejt zeros, kohë e përndjekur kur unë duhet të llogaritja veprimet e mia apo të memorizoja gjithçka në oborr deri në rënien e plotë të territ, i cili m'i ftohte mollëzat sa herë tentoja ta përballoja - i mbyllur brenda katër mureve - qoftë edhe me mend, në pritje të dritës, e cila besoja se do ta çlironte më në fund oborrin nga gjithë ato pandehma që zgjateshin rregullsisht përtej kalldrëmit, duke zbehur aty-këtu me fasha paralele as-ajër-as-ujë rreth një metër e gjysmë drejt qiellit.

Përfytyrimin mbushur me shufra të sapofikura neoni e ushqente, po aq sa filmat e lënë përgjysmë, (gjysma tjetër vazhdonte përnatë në oborr) një gur i vërtetë varri, një metër e gjysmë, i pështetur në mur te një cep skajor i oborrit.

Ishte një objekt qartësisht antropomorf: një kokë rregullsisht rrumbullake brendashkruante (brendashkruan edhe sot e kësaj dite) një yll dymbëdhjetëcepësh, plus një tjetër tetëcepësh më thellë, vijon qafa e pastaj trupi". Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â

Ekspozitë: U B IÂ Â S U N T

Artist: ERVIN HATIBI

Hapja: 22 Nëntor, ora 18,00

Adresa: Vlore bulevardi Skele Uji i Ftohte

Orari i hyrjes: 11 - 13 / 16 - 20

Tel: 00355 69 29 12 759

Sito Web: www.thepromenadegallery.org

Email:Â Â Â Â Â info@thepromenadegallery.org

KOMENTE