"Opozita shqiptare paralajmëroi sot se do të presë vetëm dhjetë ditë ofertën e qeverisë për zgjidhjen e krizës që po bllokon jetën parlamentare në vend. Lideri i opozitës, Edi Rama, tha se nëse Berisha nuk reagon për dhjetë ditë, atëherë opozita do të hyjë në betejë për zgjedhje të parakohshme dhe rrëzimin e qeverisë Berisha me të gjitha mjetet, duke paralajmëruar kështu një shkallë të re të përkeqësimit të krizës"
Nga Mero Baze*
Qëndrimi i kryeministrit shqiptar Sali Berisha ndaj krizës aktuale është provokativ. Në kulmin e një proteste të fortë politike, e cila minimalisht duhet marrë seriozisht, dhe pas kërkesave të përsëritura të Bashkimit Evropian, se qeveria duhet të gjejë një zgjidhje për opozitën, ai u shfaq pas xhamit të blinduar të kryeministrisë me dy gishta, me shpresë se do t'i hidhte benzinë zjarrit. Përpjekjet e tij për të tërhequr opozitën drejt një beteje ekstreme, pse jo dhe të dhunshme e jashtë kontrollit, janë pjesë e stilit të tij politik për të mbijetuar, jo prej normalitetit, por prej krizës. I vendosur të refuzojë gjithë kërkesat e Brukselit për një plan politik për zgjidhjen e krizës, i vendosur të mos bëjë asnjë gjest për uljen e tensionit dhe rritjen e klimës së besimit, i vendosur të provokojë deri në ekstrem protestuesit herë me makina me çimka e herë me gjeste prej deliranti duke u shfaqur pas xhamave të blinduar, ai po përpiqet të bëjë gjithçka me qëllim që nga kjo lojë të mos dalë si i humbur, por si palë. Për fatin e tij të keq, opozita po përmbahet dhe nuk e ka humbur as qetësinë dhe as humorin. Njerëzit që ishin mbledhur para kryeministrisë, ishin më të prirur të tregonin barsoleta për Familjen Berisha se sa të thurin plane se si duhet qëlluar ai me vezë, kur të dalë nga shtëpia apo zyra e kryeministrisë. Në këto kushte problem nuk është si t'i përgjigjesh provokimit të Berishës me dhunë. Gjeste të tilla poshtëruese për një shoqëri të lirë, si ajo që ai bëri nga dritarja me xhama të blinduar, në vende të tjera kanë ndjellë luftëra civile. Për fat protestuesit u mjaftuan me disa vezë dhe sharje në adresë të tij. Ajo që kërkon me çdo kusht Berisha, është dhuna. Ai ka nevojë që dikush të ngrejë dorën, dikush t'i kundërpërgjigjet, dikush ta marrë seriozisht si provokator dhe t'i kthejë reston, duke e bllokuar brenda apartamentit të dhuruar nga sekserët e Familjes apo duke e bërë të futet në tunelin nga ku iku kundërshtari i tij i dikurshëm më 14 shtator. Në të vërtetë atë s'po e merr kush seriozisht dhe si provokator dhe kjo e bën që brenda një ore, nga zyra deri në Krujë, të ndryshojë humorin, dhe të humbasë qetësinë. Problemi është se kjo krizë duhet zgjidhur me kosto sa më të ulët për qytetarët dhe shoqërinë shqiptare. Një aktor i rëndësishëm i kësaj krize, Sali Berisha, po kërkon thellimin e krizës dhe mundësisht përdorimin e dhunës. Shpresoj që protesta të merret në të ardhmen e saj pikërisht me kurimin e këtij problemi, me largimin e këtij aktori të defaktorizuar për zgjidhjen e krizës. Shqipëria e NATO-s dhe aplikante e BE nuk ka luksin të ketë një kryeministër të roitur që del pas xhamave të blinduar dhe përqesh protestuesit e zemëruar. Për ta zgjidhur këtë krizë duhen dy palë. Gjesti i Sali Berishës, i cili ishte një përpjekje për të provokuar ekstremizëm dhe pushtimin e zyrës së tij, tregon qartë se Berisha i trembet zgjidhjes paqësore të krizës. Nëse kriza zgjidhet paqësisht, natyrisht që Berisha humbet, por PD mbetet një forcë demokratike solide dhe e pazëvendësueshme në qeverisjen e vendit. Pikërisht kjo është historia që tremb Sali Berishën dhe e bën atë që të provokojë deri në fund nervat e opozitës për të kaluar në revansh dhe për t'iu shfaqur si shpëtimtar i një pushteti të plasaritur nga korrupsioni, nepotizmi dhe qeverisja e Familjes. Ndaj kjo krizë mund të zgjidhet më mirë po të kërkohet ikja e tij, pa dhunë, pa hakmarrje dhe pa revansh. Është mirë të ndalemi vetëm te problemet që ka krijuar ai dhe t'i zgjidhim pa hapur të reja. Kështu do të jenë të fituar të gjithë, dhe vetë kryeministri, që nga makthet e humbjes së pushtetit mund të provokojë gjakderdhje, siç u përpoq boll këto dy ditë.
(*) Dërguar nga autori