English

Dëshmi tronditëse e "Bandës së Cërrikut": Vramë policë dhe përdhunuam shtatzënën në grup

Tiranë, 24 Nëntor NOA - Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lexuar sot deklarimet e një prej të pandehurve të masakrës së Cërrikut, i cili ka treguar detaje të ngjarjes së ndodhur më 23 maj të vitit 1997.

Sipas deklarimeve të dhënë nga ana e të pandehurit Entel Gashi në vitin 2007 ka treguar se ditën e ngjarjes kishte takuar vëllezërit Toska dhe Buzani.

Gashi tregoi se atë ditë që ndodhi ngjarja e frikshme, shumë njerëz të armatosur ishin ngjitur mbi tarracat e shtëpive.

"Atje hipëm edhe ne dhe u bëmë gati për të pritur gardistët. Vetëm pak çaste më vonë, në qytet u fut një tank dhe njëri nga vëllezërit Toska qëlloi me kundra-tank duke e djegur atë, ndërkohë që ne vazhdonim të qëllonim mbi forcat e Gardës", - tregoi Gashi.

Më tej ai tha se "pasi zbritëm nga tarracat, pamë një makinë policie dhe një njeri të plagosur aty, e ndoqëm nga pas dhe e vramë" dhe shtoi se "bashkë me Alban Toskën, vramë dhe dy policë të tjerë, të cilët ishin të plagosur duke u zvarritur në tokë".

Gashi tregoi se ai kishte parë edhe vëllezërit Buzani që vranë një person tjetër.

Kurse historia ka vazhduar dhe me abuzimin ndaj një femre shtatzënë:

"E morëm dhe e futëm në një barakë që ishte aty afër dhe Bujar Buzani bashkë me një nga vëllezërit Toska e përdhunuan atë", ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje Gashi. Ndërkohë që në deklarimet e dhëna në vitin 2008 si dhe në ato të dhëna sot para gjykatës, i pandehuri ka mohuar të ketë dijeni për ngjarjen e ndodhur.

Më poshtë ndiqni dëshminë e plotë të Gashit:

"Ata më thanë se po vinte Garda për të sulmuar qyteti dhe se ne duhet të bëheshim gati për t'u përgjigjur atyre. U nisëm me makinë për në qendër të qytetit dhe sapo hymë pamë që shumë njerëz të armatosur ishin ngjitur mbi tarracat e shtëpive. Atje hipëm edhe ne dhe u bëmë gati për të pritur gardistët. Vetëm pak çaste më vonë, në qytet u fut një tank dhe njëri nga vëllezërit Toska qëlloi me kundra-tank duke e djegur atë, ndërkohë që ne vazhdonim të qëllonim mbi forcat e Gardës. Pasi zbritëm nga tarracat, pamë një makinë policie dhe një njeri të plagosur aty, e ndoqëm nga pas dhe e vramë. Bashkë me Alban Toskën, vramë dhe dy policë të tjerë, të cilët ishin të plagosur duke u zvarritur në tokë. Unë pashë edhe vëllezërit Buzani që vranë një person tjetër. Meti Bozin e kam parë në qendër të qytetit që po u fliste njerëzve duke i thënë që të mobilizoheshin për të mbrojtur qytetin e tyre. Ndalonim makinat dhe i merrnim lekët. Në një moment pamë një fugon të kuq që i afroheshe postbllokut. Aty ishte një femër shtatzënë. E morëm dhe e futëm në një barakë që ishte aty afër dhe Bujar Buzani bashkë me një nga vëllezërit Toska e përdhunuan atë".

e.l/e.r/NOA

KOMENTE