English

G99, Mazniku: Qeveria nuk ka mbajtur premtimet, kemi fakte konkrete

Tiranë, 24 nëntor NOA - G99 bëri sot publike përmes shifrave konkrete të gjithë dështimin e qeverisë Berisha në lidhje me arsimin në Shqipëri dhe mosmbajtjen e premtimit për ta shndërruar këtë fushë në një prioritet të punës së saj.

Gjatë një konference për shtyp, Arbi Mazniku tha se ndërsa vitet e fundit buxheti në total ka njohur rritje, shpenzimet për arsimin kanë mbetur po ato, e madje për vitin 2010 do të jenë edhe më të ulëta, në krahasim me një vit më parë.

Për vitin 2010, qeveria ka parashikuar, përmes buxhetit të ri të sapomiratuar në mungesë të opozitës në Kuvend, që të shpenzojë për arsimin vetëm 3.46 për qind të GDP.

Kjo shifër është edhe më e ulët se ajo e një viti më parë, kur Shqipëria shpenzoi 3.55 për qind të GPD-së.

Sipas Maznikut, Shqipëria mbetet kështu ende vendi që shpenzon më pak për arsimin në të gjithë rajonin, ndonëse qeveria ka premtuar që në fillim të mandatit të parë, e pastaj ka ripërsëritur edhe gjatë fushatës së fundit elektorale dhe gjatë programeve qeverisëse, se do ta ketë arsimin prioritet të vetin. "Ky jo vetëm që është një premtim i pambajtur, por është një gënjeshtër e madhe e qeverisë që vazhdon të përsëritet' tha Mazniku.

Ai denoncoi me fakte sipas tij konkrete edhe dështimin e qeverisë për të investuar në fushën e arsimit profesional, fushë kjo që ende mbetet larg të qenit një fushë strategjike dhe prioritare që do të mund të sillte përfitime afatgjata për të gjithë shoqërinë.

k.k/NOA

KOMENTE