Tiranë, 24 nëntor NOA - Policia rrugore e Tiranës po vazhdon aksionin kundër shoferëve debitorë dhe shkelësve të qarkullimit rrugor.
Kështu, gjatë ditës së djeshme policia ka ndërmarrë kontrolle dhe masa ndëshkuese ku janë pezulluar për mos shlyerje të detyrime 28 leje qarkullimi të automjeteve.
Nga shlyerja e detyrimeve që rrjedhin nga kundavajtjet administrative, u arkëtuan nga Posta Shqiptare 492 masa administrative të likuiduara nga drejtuesit e mjeteve.
"Shërbimet e Policisë së Tiranës do të vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore.
Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës" bëri të ditur sot policia e kryeqytetit.
Gjatë 24 orëve të fundit në Qarkun e Tiranës janë vendosur 645 gjoba dhe janë pezulluar 10 leje drejtimi.
k.k/NOA