Tiranë, 24 nëntor, NOA - Grupi parlamentar i Partisë Socialiste në një mbledhje të parashikuar për ditën e sotme, do të marrë në shqyrtim çështjen e vazhdimësisë së aksionit politik pas protestës maratonë që zhvilloi gjatë fundjavës në kryeqytet.
Në këtë mbledhje janë njoftuar të marrin pjesë edhe deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, por nuk dihet nëse ata do të paraqiten në këtë mbledhje, e nëse po, a do të jetë dakord me mendimin e shumicës për realizimin e protestave të mëdha qytetare, mosbindjes civile, deri në largimin e qeverisë me zgjedhje të parakohshme.
Këta deputetë në fakt janë shprehur dakord me protestat popullore, por kjo të jetë e akorduar edhe me luftën politike brenda parlamentit, e thënë ndryshe janë për protesta, por jo për bojkot të legjilslativit.
Ndërkaq, kryesocialisti Edi Rama e ka bërë të qartë faktin se pas 10 ditësh, afat të cilin ia ka lënë qeverisë për reflektim, do të vazhdojnë protestat në të gjithë Shqipërinë deri në largim të qeverisë Berisha.
n.e/NOA