English

Meta: Asnjë institucion në botën demokratike nuk kërkon rihapjen e kutive

Tiranë, 24 nëntor NOA - "Asnjë institucion, të paktën në botën demokratike nuk kërkon rihapjen e kutive".

Kështu u është përgjigjur ministri i Jashtëm, Ilir Meta sot pyetjes së gazetarëve se nëse Komisioni Evropian i ka kërkuar që të gjendet një dialog me opozitën.

"Të jeni të sigurt ju që asnjë institucion, të paktën në botën demokratike nuk kërkon rihapjen e kutive ose nuk parakupton të flitet për dialog pikërisht për këtë gjë, sepse ju e dini shumë mirë që OSBE-ODIHR, kanë bërë një raport nëpërmjet të cilit i kanë certifikuar këto zgjedhje si zgjedhjet më të mira të zhvilluara deri më sot në Shqipëri" u shpreh Meta.

Sipas tij, raporti është përshëndetur edhe nga SHBA dhe nga BE në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së.

"Ashtu sikurse edhe ju e dini që Ministrat e Jashtëm të BE-së do të vendosnin për kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim pas raportit të zgjedhjeve të OSBE-ODHIR që ishte një test për zgjedhjet. Vetëm kërkesën absurde të opozitës për hapjen e kutive nuk e parakupton.

Gjithashtu, ju e dini që qeveria ka qenë dhe është e hapur për dialog për të akomoduar të gjitha kërkesat e arsyeshme të cilat ndihmojnë jo vetëm për të pasur një dialog të qëndrueshëm në të ardhmen në Parlament, por njëkohësisht edhe të përmirësojmë akoma më tej standardet e demokracisë apo të funksionimit të institucioneve në vendin tonë" shtoi më tej Meta.

Ai shtoi se askush nuk përkrah ultimatumet, askush nuk e kthen kokën pas më 28 qershor.

k.k/NOA

KOMENTE