Tiranë, 24 nëntor NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta priti Drejtorin e Përgjithshëm për Vendet e Evropës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Italiane, Mario Bova.
Gjatë takimit, dy palët vlerësuan nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe konfirmuan vullnetin e ndërsjellë për intensifikimin konkret të tij në të gjitha fushat.
Shqipëria dhe Italia pritet të hyjnë në një fazë të re të partneritetit strategjik që ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat, të bashkëpunimit shumëpalësh veçanërisht në proçesin e integrimit evropian dhe në kuadër të nismave rajonale.
Nga ana e tij, Bova i paraqiti Metës linjat kryesore të aktiviteteve në kuadër të Pranverës Italiane, që do të zhvillohet në muajt mars-qershor 2010 në Shqipëri, në zbatim të nismës së ndërmarrë nga ana e Qeverisë italiane. Meta siguroi për mbështetjen e plotë të palës shqiptare në realizimin me sukses të kësaj veprimtarie, e cila nën moton "Dy Popuj, Një Det, Një Miqësi", do të ketë si synim nxitjen e bashkëpunimit në shumë sektorë mes dy vendeve, si: ekonomia, tregtia, energjetika, infrastruktura, transportet, shoqëria civile dhe shkëmbimi kulturor.
k.k/NOA
Â