English

Një mbrëmje për miqtë nga Vikena Kamenica

Nga Milena Selimi milenaselimi@noa.al

Tiranë, 24 Nëntor NOA - Ka menduar të mbledhë ‘miqtë' dhe së bashku të sjellin një mbrëmje muzikore, ku ariet muzikore dhe kompozitorët e pavdekshëm do të jenë bërthama e ngjizjes.

Mexosoprano, Vikena Kamenica, pas një periudhe 7-vjeçare në TKOB, pas disa prezantimeve të suksesshme në skenën kombëtare operistike shqiptare, do të prezantohet përpara publikut me një koncert recital, i cili do të mbahet në TKOB, ditën e mërkurë, më datën 25 dhjetor, ora 19.00.

Miqtë e ftuar do të jenë: Tenori, Armaldo Klllogjri, soprano, Dorina Selimaj dhe shoqëruese në piano, Rudina Ciko.

E orientuar nga personazhe të njohur dhe vepra të mëdha, Vikena Kamenica do të sjellë në këtë mbrëmje një Karmen (opera "Carmen"), një Rozinë ("Berberi i Seviljas"), një Cherubino ("Dasma e Figaros"), Suzuki ("Madamme Butterfly"), Flora ("La Traviata), një grua gazmore...

Jo më kot ngjitja e saj në skenën operistike duket si një fat i paracaktuar. Që prej vitit 2002, kur u bë pjesë e stafit të Teatrit të Operës, ajo ka realizuar disa projekte. Role, që e kanë ndihmuar të krijojë një profil të sajin artistik. E njohur për natyrën aktive, Kamenica nuk mund të ketë vetëm një jetë lirike. "U bënë disa vite që operën e kam primare në gjithë aktivitetin dhe karrierën time. Sigurisht pa e anashkaluar muzikën e lehtë, atë jazz, aktivitetet, televizionet, mbrëmjet e posaçme që i ndjek me shumë kënaqësi sa herë që kam ftesa. Janë nga ato net kur ke mundësi të jetosh në liri të plotë artistike, liri që nuk ta jep as koncerti, as opera e as bashkëpunimet", tregon Vikena.

Suksesi i justifikon të gjitha. E mbrujtur me optimizëm në karakter, Vikena i bën edhe më të thjeshta ditët e saj artistike. E reflekton këtë në çdo situatë. Madje edhe në komunikimin me të tjerët. Por kjo e bën të theksojë se ajo nuk është neglizhente. "Optimizmi më jep një dorë të mirë". Mexosoprano Kamenica është fituese e Çmimit Kult, si interpretuesja më e mirë lirike e vitit 2008.

m.s/NOA

KOMENTE