English

Pierre Mirel: Opozita në parlament, ndryshe do ndikojë në opinionin e BE për Shqipërinë

Tiranë, 24 nëntor, NOA - Përsa i përket pyetësorit që duhet plotësuar nga Shqipëria për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duhet të kontribuojnë të gjitha forcat politike në vend.

Një fakt të tillë e ka bërë me dije Pierre Mirel, Drejtor i Ballkanit Perëndimor të Komisionit Evropian gjatë një takimi që ka zhvilluar në Tiranë me ministrin e Jashtëm, Ilir Meta.

"Që parlamenti të ndihmojë dhe të kontribuojë në këtë proces, ashtu siç bëmë edhe me parlamentin në Malin e Zi, nevojitet që opozita të jetë brenda tij", theksoi Mirel lidhur me një fakt të tillë.

Ai argumentoi më tej sesi në një demokraci, debati dhe diskutimet politike mund të bëhen vetëm në parlament dhe jo në rrugë.

"Përndryshe do të kemi një ndikim në opinionin që do të përgatisim ne për Shqipërinë dhe për këtë do të shikojmë funksionimin e demokracisë, parlamentin, duke parë nëse ai   funksionon. Prandaj, duhet gjendur mënyra që shumë shpejt opozita të kthehet në parlament", tha funksionari i lartë evropian për këtë çështje.

Më tej, shtoi se inkurajon që të ketë dialog mes pozitës dhe opozitës e që të gjendet zgjidhje në mënyrë që opozita të kthehet në parlament për të kontribuar në këtë debat. Â

Ndërkaq, lidhur me pranimin e kërkesës së anëtarësimit në BE nga ana e Komisionit Evropian për Shqipërinë, ai e vlerësoi si hapin e parë të procesit të integrimit të Shqipërisë.

"Sigurisht që në këtë proçes, Shqipëria ka për të pasur sfida të mëdha dhe e para ka për të qenë për përgjigjet që do të jepen për Pyetësorin", shtoi Mirel, duke përmendur sektorët për të cilët vendi ynë duhet të japë llogari si kriteret politike, funksionimi i demokracisë, shteti i së drejtës, që do të thotë gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, liria e medias.

"Të gjitha këto kushte do të jenë pikërisht ato që do të merren parasysh në masën më të madhe të mundshme për përgatitjen e opinionit të Komisionit Evropian, ashtu sikurse i kemi parë edhe në të kaluarën. Është një sfidë vërtet e madhe por është edhe një shans tepër i madh për vendin që të ecë përpara", e përfundoi fjalën e tij përfaqësuesi evropian në Tiranë.

e.r/NOA

KOMENTE