Tiranë, 24 nëntor NOA - Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka marrë pjesë sot në Kongresin e 4 të Konfederatave e Sindikatave të Shqipërisë, ku deklaroi se "ka ardhur ora të bashkojmë zërat për të shpëtuar demokracinë, shtetin e së drejtës, ekonominë shqiptare nga kërcënimi i një krizë shumë të rëndë".
"Demokracia është marrë peng nga ky pushtet ilegjitim, shteti i së drejtës ka rënë në gjunjë përballë këtij pushteti, që i friket drejtësisë si "djalli temjanit", ekonomia shqiptare ka hyrë në të tatëpjetën e një krize sistemike, të cilën pushteti i abuzimeve më të mëdha ekonomike e financiare në historinë e vendit, jo vetëm se mban dot në kontroll, por e ka nxitur me një politikë tërësisht të çartuar shpenzimesh për interesa të mirëfillta familjare, klienteliste dhe elektorale" tha gjatë fjalës së tij Rama.
Rama është ndalur gjatë fjalës së tij edhe te biznesi i vogël ku ka theksuar se "si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, së bashku me Kryebashkiakët e Kryekomunarët e opozitës në të gjithë Shqipërinë, i kemi bërë një apel publik Sali Berishës, ku kërkojmë anulimin e kësaj barre të re fiskale të jashtëlogjikshme dhe të papërballueshme për biznesin e vogël.
"Opozita e ka shpallur vullnetin e saj për të rezistuar deri në fund, deri në largimin e këtij pushteti që degjeneron përditë në një regjim interesash ekonomike të familjarëve, shërbëtorëve e klientëve të Sali Berishës.
Ftesa ime për Sali Berishën është e qartë dhe e drejtpërdrejtë: reflekto për këto ditë që ke kohë. Ndërsa për të gjithë ju është po ashtu e qartë dhe e drejtpërdrejtë: Ejani të gjithë me ne, jo për t'u rreshtuar majtas apo djathtas, por për të qëndruar në këmbë përballë këtij regjimi të korrupsionit, deri në fund, deri kur në Shqipëri llumokracia të zhbëhet dhe demokracia të ribëhet, me zgjedhje të lira e të ndershme, me konkurrencë të lirë për të gjithë dhe me meritën e secilit me punë dhe dialog social' tha më tej Rama.
k.k/NOA