Tiranë, 25 nëntor NOA - "Sali Berisha nuk mund të ketë si alibi të marrjes peng të kutive të votimit të 28 qershorit asnjë vendim gjykate, sepse nuk ka një vendim gjykate që bllokon hapjen e kutive nga komisionet hetimore të Kuvendit".
Kështu ka deklaruar sot deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla i cili theksoi se Berisha është fajtori direkt i dështimit në përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave.
"Kam këtu disa urdhra të Sali Berishës dhe të vartësve të vet që urdhërojnë Zyrën Përmbarimore të mos zbatojë vendimet e gjykatës. Ky është shteti i Sali Berishës, ku kryeministri urdhëron mos zbatimin e vendimeve të gjykatës.
Kryeministri i fundit komunist në Evropë, ka edhe shtatë ditë kohë për t'iu përgjigjur apelit tonë dhe të qytetarëve shqiptarë për hapjen e kutive, në të kundërt do të ikë bashkë me kutitë.
Nuk mund të festojë rrëzimin e murit të Berlinit në Shqipëri, ky sekretar partie i pandreqshëm, që në 8 dhjetorin e 19 viteve më parë, mbante në xhep teserën dhe paguante rregullisht kuotat e Partisë së Punës" tha Balla.
k.k/NOA
Â