Tiranë, 25 nëntor NOA - Strukturat policore të Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës do të thellojnë nivelin e bashkëpunimit dypalësh, posaçërisht për shkëmbimin e informacionit, si dhe për ekzekutimin e fletëarresteve dhe të ekstradimeve të kërkuara nga gjykatat e të dy vendeve respektive.
"Kemi sfida dhe objektiva të njëjta dhe përballemi me të njëjtat kërcënime të kriminalitetit, ndaj duhet të thellojmë bashkëpunimin dhe në veçanti shkëmbimin e përvojës dhe informacionit"- u shpreh Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha në takimin që zhvilloi sot me Komisionerin e Përgjithshëm të Policisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës, Fernand Koekelberg.
Ministri Basha paraqiti në takim një pasqyrë të përgjithshme të rezultateve të Policisë së Shtetit kundër të gjitha aktiviteteve kriminale, e në veçanti ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.
Basha tha se hap të rëndësishëm drejt një faze të re të luftës kundër krimit të organizuar përbëjnë edhe ligji "Antimafia" dhe ligji për konfiskimin e aseteve.
Duke u ndalur tek angazhimi i qeverisë shqiptare për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, ministri Basha informoi për ecurinë e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me dokumente të sigurta identiteti dhe instalimin e sistemeve analoge me vendet Schengen për menaxhimin e integruar të kufirit dhe analizën e informacionit kriminal.
Komisioneri i Përgjithshëm i Policisë Federale të Belgjikës, Fernand Koekelberg vlerësoi rezultatet e policisë shqiptare në luftë kundër krimit të organizuar e trafiqeve të paligjshme, si dhe gatishmërinë dhe vullnetin për bashkëpunim në goditjen e elementëve kriminalë.
Koekelberg shprehu interesimin dhe angazhimin e plotë të Policisë Federale të Belgjikës për shkëmbimin e informacionit dhe arritjen e rezultateve konkrete për ekzekutimin e fletëarresteve dhe kryerjen e procedurave përkatëse për të ia dorëzuar drejtësisë personat e kërkuar në të dy vendet.
Shefi i policisë belge shprehu gatishmërinë gjithashtu për të dhënë ndihmesën e nevojshme në fushën e trajnimeve dhe shkëmbimit të përvojës me policinë shqiptare.
k.k/NOA
Â