English

Berisha: Bankat dhe ekonomia shqiptare ndjenë stuhinë e krizës botërore

Tiranë, 25 Nëntor NOA - "Bankat në Shqipëri dhe ekonomia shqiptare natyrisht ndjeu stuhinë e krizës botërore, por u mbajtën më mirë se në të gjitha vendet e tjera të kontinentit".

Këtë pohim, Kryeministri Berisha e bëri sot në mbrëmje ndërsa mori pjesë në ceremoninë e organizuar për 10 vjetorin e themelimit të Bankës Emporiki në Shqipëri.

Sipas tij, kjo erdhi jo për shkak të një ekonomie centraliste, përkundrazi të një ekonomie të vërtetë tregu e bazuar në parimet më të shëndosha të tregut.

"Ndaj dhe kemi një arsye të jemi të gjithë së bashku krenarë për situatën e financave, bankave dhe ekonomisë shqiptare", - tha Berisha.

Kryeministri u shpreh se ndonëse në kohën e një krize, nga më të mëdhatë që kanë njohur financat botërore, bankat në Shqipëri qëndruan me dinjitet për shkak të parimeve të shëndosha, solide, transparente mbi të cilat funksionuan dhe funksionojnë.

Kryeministri garantoi se qeveria është e vendosur të përmirësojë dhe konsolidojë kuadrin më të mirë ligjor për veprimtarinë e bankave.

Ndërkohë, shefi i qeverisë ia dedikoi rritjen prej 59 % të investimeve të huaja në Shqipëri, si dhe rritjen ekonomike prej 5,3 % në gjashtëmujorin e parë, kontributit të jashtëzakonshëm të bankave në sistemin bankar të Shqipërisë.

e.r/NOA

KOMENTE