Durrës, 25 nëntor, NOA - Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor në Durrës ka konstatuar nga kontrollet se dy automjete të tipit kamion me markën "Renault" dhe targat DR0231F e DR0232F rezultojnë të vjedhura jashtë vendit.
Lajmi bëhet i ditur nga burimet policore të Durrësit, sipas të cilave rezultati doli në bazë të verifikimeve të bëra në sistemin ASF2 të Interpolit.
Për këtë, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë ndaj poseduesit të tyre 47-vjeçarit Flamur L., lindur dhe banues në qytetin e Durrësit.
Dy automjetet u bllokuan në mjediset e firmës "FBA Konstruksion shpk" në autostradë, në komunën e Xhafzotajt, pronë e Flamur L. Të cilit iu bë bllokimi i automjeteve të lartpërmendura si dhe dokumentacionit të tyre në cilësinë e provës materiale.
Materialet do t'i kalojnë prokurorisë së Durrësit për veprën penale të "Trafikimit të mjeteve motorike", parashikuar nga neni 141/a i Kodit Penal.
n.e/NOA