English

Ekonomia me prirje rritjeje të vazhdueshme

Zhvillimet në inflacion, ata në treguesit monetarë dhe fiskalë, të dhënat e tregtisë së jashtme si dhe indekset e besimit të biznesit dhe të konsumatorit, konfirmojnë se ekonomia shqiptare vijon të shënojë ritme pozitive rritjeje ekonomike

Nga Ardian Fullani

Guvernator i Bankës së Shqipërisë

Në mbledhjen e tij të datës 25 nëntor 2009, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim Raportin Mujor të Politikës Monetare për muajin nëntor. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend dhe në përfundim të diskutimeve mbi ecurinë e pritshme të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25 për qind.

Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se kjo normë interesi është në përputhje me synimin e Bankës së Shqipërisë për mbajtjen e inflacionit afër nivelit objektiv të Bankës së Shqipërisë në një periudhë afatmesme.

***

Zhvillimet ekonomike e monetare të muajve të fundit janë karakterizuar nga presione të ulëta inflacioniste.

Inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit në muajin tetor shënoi vlerën 2.3 për qind, duke qenë pothuajse në linjë me ecurinë e tij gjatë tremujorit të fundit. Ecuria e qëndrueshme dhe në nivele të ulëta e inflacionit është kushtëzuar nga presionet e moderuara që vijnë nga ekonomia e brendshme, si pasojë e:

ngadalësimit të aktivitetit ekonomik gjatë kësaj periudhe;

përcjelljes së ulët të nënçmimit të kursit të këmbimit në çmimet në lekë të mallrave të importit;

si dhe pritjeve të stabilizuara inflacioniste.

Lehtësimi i kushteve monetare nga Banka e Shqipërisë, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit në muajin tetor si dhe vazhdimit të operacioneve injektuese të likuiditetit, kanë dhënë impulset e duhura për nxitjen e aktivitetit ekonomik në të ardhmen. Këto impulse, si gjithnjë, administrohen në kushtet e një ecurie të pritshme e inflacionit afër objektivit 3 për qind të Bankës së Shqipërisë, si dhe pritjeve të stabilizuara të agjentëve ekonomikë për të.

Ulja me 0.5 pikë përqindjeje e normës bazë nga Banka e Shqipërisë në fund të muajit tetor synon forcimin e kërkesës së brendshme dhe rigjallërimin e kreditimit Efekti i këtij sinjali në ekonomi nuk është shfaqur ende i plotë, si pasojë e kohës së shkurtër dhe vonesave kohore në transmetimin e politikës monetare.

Megjithatë, përcjellja e tij në tregun e parasë, hallkën e parë të zinxhirit të transmetimit, është premisë për reflektimin e tij në koston e kredisë në një kohë të dytë. Ndërkohë, operacionet tona injektuese të likuiditetit kanë qenë të suksesshme në garantimin e mbështetjes së ekonomisë me fonde, kryesisht afatshkurtra, gjatë kësaj periudhe.

***

Në rang botëror, aktiviteti ekonomik është mbështetur nga përmirësimi i klimës së përgjithshme ekonomike, i cili ka ndikuar në përmirësimin e aktivitetit ekonomik botëror, uljen e primeve të rrezikut dhe qëndrueshmërinë e tregjeve financiare globale. Megjithatë, ekonomia botërore dhe ajo evropiane vazhdojnë të shfaqin dobësi ekonomike të cilat transmetohen më tej në presione të ulëta inflacioniste.

Kjo situatë kushtëzon edhe ndjekjen e një politike monetare dhe fiskale stimuluese, nëpërmjet ruajtjes se normave të interesit në nivele minimale historike dhe injektimeve të larta të likuiditetit.

Duke u kthyer tek ekonomia e brendshme, duhet thënë se të dhënat e reja ekonomike kanë qenë të pakta gjatë muajit tetor. Zhvillimet në inflacion, ata në treguesit monetarë dhe fiskalë, të dhënat e tregtisë së jashtme si dhe indekset e besimit të biznesit dhe të konsumatorit, konfirmojnë se ekonomia shqiptare vijon të shënojë ritme pozitive rritjeje ekonomike.

Kjo rritje është mbështetur nga ruajtja e niveleve të qëndrueshme të kërkesës konsumatore dhe stimuli fiskal i dhënë gjatë vitit 2009. Megjithatë, të dhënat e disponueshme ekonomike flasin për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2009. Kërkesa e jashtme për produktet shqiptare është reduktuar, sikurse ilustrohet edhe nga ngadalësimi i eksporteve gjatë kësaj periudhe, ndërsa investimet paraqiten në rënie.

Prirja e qëndrueshme e inflacionit bazë dhe vlerat e ulëta të atij të mallrave të patregtueshëm tregojnë gjithashtu praninë e presioneve të ulëta inflacioniste të gjeneruara nga krahu i kërkesës agregate në ekonominë e vendit gjatë periudhës janar-tetor 2009.

Kjo ecuri ka kontribuar në amortizimin e goditjeve të gjeneruara nga inflacioni i sektorit të tregtueshëm të mallrave për shkak të dobësimit të pozitave të monedhës vendase në tregun brendshëm të këmbimeve valutore.

Inflacioni gjatë vitit 2009 është luhatur rreth kufirit të poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë. Inflacioni vjetor në muajin tetor rezultoi 2.3 për qind, duke shënuar një rritje të lehtë në krahasim me muajin shtator, por duke qëndruar poshtë niveleve të vërejtura një vit më parë.

Inflacioni mesatar vjetor shënoi 2.1 për qind, duke qëndruar në të njëjtin nivel me atë të muajit shtator. Paralelisht me faktorët e kërkesës, ecuria e inflacionit është mbështetur edhe nga zhvillimet e disa faktorëve të ofertës, si tendenca e lehtë rënëse në koston e punës për njësi, rëniet në çmimet e importit dhe prodhimit, efekti statistikor i çmimeve të administruara, duke krijuar një ambient të përgjithshëm me presione të reduktuara inflacioniste.

Politika fiskale, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009 ka treguar shenja të zbutjes së karakterit të saj ekspansionist. Të ardhurat kanë shënuar një rritje të lehtë krahasimisht me muajt paraardhës, ndërkohë që vihet re një ulje e ritmit të kryerjes së shpenzimeve.

Në terma vjetorë, gjatë nëntë muajve të parë të vitit, të ardhurat buxhetore kanë shënuar një rritje prej 6 për qind kurse shpenzimet buxhetore prej rreth 22 për qind. Deficiti buxhetor mbetet në nivele krahasimisht të larta historike, por brenda limiteve të buxhetit të rishikuara së fundmi.

Në një masë të madhe, ky deficit reflekton nivelin e lartë të shpenzimeve kapitale publike gjatë vitit 2009. Shpenzimet publike dhe politika fiskale ekspansioniste kanë dhënë një kontribut të prekshëm në ruajtjen e aktivitetit ekonomik gjatë kësaj periudhe, por ato janë shoqëruar edhe me rritjen e presioneve në tregjet monetare.

Banka e Shqipërisë gjykon se politika fiskale duhet të vijojë të jetë e kujdesshme ndaj këtyre balancave në të ardhmen, si dhe të faktorizojë qëndrueshmërinë afatgjatë fiskale në hartimin dhe zbatimin e planeve buxhetore afatmesme dhe afatgjata.

Aktiviteti i tregtisë së jashtme është karakterizuar nga dobësimi i të vëllimit tregtar gjatë nëntë muajve të parë të vitit. Megjithatë, vlera e shkëmbimeve tregtare e shënuar gjatë muajit shtator është më e larta e regjistruar që prej fillimit të vitit 2009. Pas afro tre muajsh ngushtimi të vazhdueshëm, deficiti tregtar këtë muaj u zgjerua me rreth 9 për qind në terma vjetorë.

Eksportet shënuan një reduktim të vlerës së tyre me rreth 18 për qind në terma vjetorë, ndonëse pozita e dobët e monedhës vendase kundrejt monedhës së përbashkët evropiane është faktor favorizues për eksportuesit. Importet drejt vendit tonë kanë shënuar ritme pozitive rritjeje për herë të parë që prej muajit janar të këtij viti.

Në terma vjetorë, ato u rritën me përafërsisht 1 për qind, shkaktuar nga norma pozitive e rritjes së importit të mallrave për konsum, ndërkohë që importet e mallrave të ndërmjetëm dhe ato kapitalë kanë rënë.

Treguesit monetarë të muajit shtator paraqesin një ecuri më të ngadaltë të aktivitetit ndërmjetësues të sistemit bankar. Në terma vjetorë, paraja e gjerë ka shënuar një rritje nominale prej 2.8 për qind në muajin shtator, kundrejt vlerës 4.5 për qind të shënuar në muajin gusht.

Kontraktimi i aktivitetit kreditues në valutë si dhe ndërmjetësimi i huadhënies së sektorit publik nga agjentë jobankarë, ka ndikuar në ngadalësimin e ritmeve të rritjes së treguesve monetarë.

Në muajin shtator, portofoli i kredisë për ekonominë është rritur me ritme më të ulëta krahasuar me muajt e mëparshëm. Ritmi vjetor i rritjes së kredisë zbriti në nivelin 13.2 për qind.

Ngadalësimi i kredisë është thuajse tërësisht pasojë e tkurrjes së kredisë në valutë, ndërkohë që kredia në lekë u rrit me 31 për qind në terma vjetorë. Pjesa më e madhe e kredisë së re, rreth 85 për qind e saj, është thithur nga bizneset dhe ka shkuar kryesisht për të mbuluar nevojat për likuiditet ndërsa kredia për investime afatgjata paraqitet e reduktuar.

Gjithashtu, rritja e portofolit të kredisë për individë është zvogëluar, kryesisht si pasojë e tkurrjes së kredisë për konsum. Kredia për shtëpi dhënë individëve vazhdon të ruajë ritme rritjeje pozitive, duke mbetur në nivelin 5 për qind në terma vjetorë.

Ndërmjetësimi i kredisë së brendshme tërësisht në lekë ka rritur nevojën e pranisë së Bankës së Shqipërisë në injektimin e likuiditetit. Nevojat për likuiditet në sistemin bankar janë plotësuar nga operacionet në treg të hapur të Bankës së Shqipërisë, duke ruajtur një strukturë të përshtatshme kohore të këtij injektimi.

Normat afatshkurtra të interesit në tregun ndërbankar kanë reflektuar uljen e kostos huamarrëse nga banka qendrore dhe kanë qenë të qëndrueshme. Më tej, tregu primar ka dëshmuar për një reagim të agjentëve në vendosjen e çmimit të huadhënies duke reduktuar yield-in e bonove të thesarit. Yield-i 12-mujor, i cili shërben shpesh si normë referencë në përcaktimin e kostove të tjera, ka zbritur me 0.15 pikë përqindjeje gjatë muajit nëntor, duke arritur në nivelin 9.28 për qind.

Oferta për financimin e kërkesës së qeverisë ka qenë e mjaftueshme duke mos ushtruar presione rritëse mbi interesin. Ecuria e normave të interesit të depozitave të reja në lekë dhe në euro ka rezultuar gjithashtu e qëndrueshme gjatë muajit shtator, duke mundësuar kthimin e depozitave në sistem.

Ndërkohë, interesat për kreditë e reja në lekë dhe në valutë vazhdojnë të mbartin politikat shtrënguese të kredidhënies nga sistemi bankar në përgjithësi dhe luhaten nga politika të izoluara preferenciale.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës ra dakord të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit. Ky vendim synon ruajtjen dhe konsolidimin e mëtejshëm të ekuilibrave makroekonomikë, duke e konsideruar qëndrueshmërinë makroekonomike si një parakusht të domosdoshëm për një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Ai gjithashtu garanton mbështetjen e duhur monetare për ekonominë në këtë fazë të zhvillimit të saj. Në të ardhmen, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të veprojë në linjë me ecurinë e faktuar dhe të pritshme të treguesve ekonomikë.

Zhvendosja në kahun rënës e balancës së rreziqeve inflacioniste, konsolidimi i stabilitetit financiar dhe i pritjeve inflacioniste në ekonomi do të faktorizohen në vendimmarrjen e ardhshme të Bankës së Shqipërisë.

Â

KOMENTE