Shkup, 25 nëntor, NOA - Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov ka reaguar menjëherë pas komenteve të homologut të tij serb Boris Tadiç, se Serbia kurrë nuk do ta njohë marrëveshjen për vijën kufitare midis Shkupit dhe Prishtinës.
Ivanov u shpreh se kjo ndodh ngaqë Maqedonia dhe Serbia kanë qëndrime të ndryshme lidhur me Kosovën, ndërsa marrëveshja për kufirin sipas tij është bërë në bazë të marrëveshjes paraprake të vitit 2001 midis presidentëve të atëhershëm Koshtunica dhe Trajkovski.
Nga ana e tij, dy ditë më parë, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç tha se Beogradi zyrtar kurrë nuk do ta njoh marrëveshjen për demarkacionin të cilën e kanë firmosur Maqedonia dhe Kosova.
Ai më tej ka shtuar se ruajtja e integritetit të Serbisë është direkt e lidhur me shënimin e vijës kufitare.
Tadiç ka theksuar se kohë më parë lidhur me këtë temë ka pasur një bisedë shumë serioze me presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.
"Shumë qartë kamë thënë se Serbia kurrë me asnjë çmim nuk do ta pranojë marrëveshjes e demarkacionit të Maqedonisë me shtetin e ashtuquajtur Kosovës", ka theksuar presidenti serb.
n.e/NOA