English

Klik Ekspo Group hap kuvendin ekonomik me 800 biznese

Tiranë, 25 Nëntor NOA - Dita e parë e Panairit Ndërkombëtar të Tiranës është hapur me Konferencën Ekonomike me pjesëmarrjen e autoriteteve shtetërore dhe përfaqësuesve më të lartë të biznesit pjesëmarrës.

Presidenti i shoqërisë Klik Ekspo Group Luan Muhametaj, tha se pjesëmarrja e përfaqësuesve të 800 kompanive në ketë panair është shprehja më e mirë e cilësisë dhe e nivelit të lartë që ofron ky manifestim i biznesit.

UFI, (Global Association of the Exhibition Industry), mbledh dhe përfaqëson të gjithë industrinë e panaireve në botë. Ai është organizmi që mbledh bashkë të gjitha kompanitë e kësaj industrie në botë me 83 vende anëtare.

Drejtori i Përgjithshëm i Unionit Botëror të Panaireve Vinsent Gerard i cili drejton dhe UFI-n, tha se, "shpresojmë që Shqipëria, nëpërmjet Klik Ekspo Group, të bëhet së shpejti vendi i 84-të".

Misioni i UFI-t është që ti shërbejë industrisë së panaireve në gjithë botën. Të promovojë vlerat e veçanta dhe unike të panaireve tregtare si dhe të edukojë e nxisë industrinë e panaireve dhe ekspozimit, - tha Gerard.

Në pritjen ceremoniale për sipërmarrësit e huaj dhe vendas, pjesëmarrës në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga shoqëria Klik Ekspo Group, Presidenti i Republikës Bamir Topi tha se, "nuk mund të jetë rastësi prania e 800 kompanive të huaja, përfaqësuar në Pavionin e vendeve evropiane të zhvilluara dhe në zhvillim në të gjitha fushat e biznesit, në Panairin e Përvitshëm Ndërkombëtar të Tiranës Klik Ekspo Group, dhe natyrisht, një ngjarje e tillë është më shumë se një kënaqësi e veçantë.

"Është vlerësim, është inkurajim dhe, natyrisht, është një shpresë në rritje për ekonominë e një vendi të vogël, e cila në këto dy dekada, me mund dhe përpjekje, me guximin e shpirtit sipërmarrës të biznesit shqiptar ia ka dalë të shkëputet nga kolapsi ku e la sistemi socialist dhe, gradualisht, t'i drejtohet treguesve të një vendi që zhvillimin e tij e ka orientuar te integrimi i tij në ekonominë rajonale dhe atë globale", - tha Topi.

E veçanta e këtij panairi është prezantimi nga shoqëria Klik Ekspo Group i Panairit të parë të specializuar të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, Albanian Military Exhibition (ALMEX). Ky aktivitet i madh do të zhvillohet në tetor 2010 me pjesëmarrjen e emrave më të mëdhenj të industrisë së armatimit në botë.

Në këtë kuadër, në ketë konferencë u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit mes Shoqatës së Industrisë së Mbrojtjes dhe Sigurisë së Republikës Çeke të përfaqësuar nga kreu i saj JindÅ™ich Ploch dhe Presidentit të ALMEX (Albanian Military Exhibition), Luan Muhametaj.

e.r/NOA

KOMENTE