English

Kriza politike, Shqipëria larg liberalizimit të vizave

"Drejtori për zgjerim i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Pier Mirel, i cili po qëndron prej dje në Tiranë, ka theksuar në një intervistë për Faktor Plus se nëse nuk zgjidhet kriza politike, ajo mund të ndikojë për një opinion negativ të Komisionit Evropian për statusin e Shqipërisë si vend kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian. Pier Mirel i bën thirrje palëve të gjejnë një zgjidhje që opozita të kthehet në parlament dhe të normalizohet jeta politike në vend"

Mero Baze

Përpjekjet e qeverisë për të injoruar krizën politike në vend dhe gjuha agresive e kryeministrit, e cila synon të radikalizojë situatën, mund të ndëshkojnë shqiptarët me shtyrjen e liberalizimit të vizave dhe përgatitjen e një opinioni negativ nga Komisioni Evropian mbi procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian.

Drejtori për zgjerim i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Pier Mirel, i cili gjendet në Tiranë, theksoi për Faktor Plus se kriza politike, është një arsye e fortë që bllokon procesin dhe se duhet gjetur një zgjidhje urgjente që opozita të kthehet në parlament.

Mesazhet e qarta dhe të prera nga Brukseli ndeshen në Tiranë me një rrjedhë të kundërt me atë ç'ka pret Bashkimi Evropian. Kërkesa e Brukselit për një plan për konsensus me opozitën drejtohet pikë së pari te kryeministri Berisha. Por reagimi i tij është jashtë çdo standardi.

Ndërkohë që dje ai përuronte Qendrën e Informacionit të BE-së në Tiranë, e cila për koincidencë ka marrë me qira shtëpinë e kunatit të Sali Berishës, pas kësaj ceremonie foli për shkulje dhëmbësh dhe dhëmballësh për opozitën.

Kjo gjuhë gati skizofrenike, pasohet nga veprime qesharake kamikazësh që kërkojnë të trembin çdo faktor mediatik apo financiar që mendohet se është afër opozitës.

Kjo gjueti shtrigash, e zhvilluar në mes të ditës, madje e demonstruar qëllimisht për të forcuar modelet e ndëshkimit ndaj gjithë atyre që nuk i binden kryeministrit, është një arsye e mjaftueshëm që të klasifikohemi jo si qeveri demokratike dhe shtet ligjor, por si një shoqëri që qeverisemi nga një regjim, i cili nuk njeh ligje, dhe kufij për të mposhtur çdo oponent në këtë vend.

Në këtë klimë revanshi dhe fjalori skizofrenik të kryeministrit, edhe nëse në vend do të kishte paqe sociale dhe politike do të ishte prishur. Në këtë vend, ku dhe për të marrë një zyrë me qira, duhet të shikosh kush nga familja e kryeministrit ka ofertën më të mirë, e ke të vështirë të flasësh për liri ekonomike apo shtet ligjor.

Në këtë vend ku 100 mijë vetë janë në rrugë në emër të standardeve të prishura të zgjedhjeve, dhe kryeministri provokon pas xhamave të blinduara me qëllim që të eskalojë situatën, e ke të vështirë të besosh te vullneti i kësaj shumice për konsensus dhe paqe sociale. Arsyeja përse konsensusi dhe normalizimi i politikës nuk i intereson shumicës, ka të bëjë pikërisht me kapjen e shtetit nga klanet mafioze të familjes në pushtet.

Çdo shoqëri normale, çdo shtet ligjor, çdo vend i lirë dhe ekonomi konkurrente, nuk do të kishte lejuar që shteti të kapej nga klientë të familjes.

Fushata e fundit e kryeministrit kundër çdo biznesmeni që mendohet se është afër opozitës, duket po ashtu se nxitet nga aleati i tij Ilir Meta, pasi Berisha dërgon gjoba në darkë dhe njerëz të Ilir Metës shkojnë të negociojnë në mëngjes.

Kjo klimë revanshi dhe gjuhë skizofrenike e pushtetit për të nënshtruar gjithkënd, natyrisht që do ta ekstremizojë jetën politike në vend dhe do të na çojë drejt të panjohurave të reja për krizën.

(*) Dërguar nga autori

KOMENTE