EÂ vërteta është se askush nuk e di me siguri se si janë dhe në ç'drejtim po shkojnë marrëdhëniet Medvedev-Putin
Nga "Christian Science Monitor"
Sërish duket se Rusisë më së miri i përshtatet thënia e Çërçillit se është "një enigmë e mbështjellë me mister brenda një enigme të madhe". Vladimir Putin duket se e shpërfilli këtë lloj përshkrimi në maj të vitit 2008. Me t'i mbaruar të dyja mandatet e presidentit, qartësisht dhe qëllimisht, ai e ktheu Rusinë në një "demokraci të menaxhuar", duke penguar të drejtat politike dhe ato të njeriut, duke ndjekur një politikë të jashtme agresive dhe duke rikthyer kontrollin shtetëror mbi korporatat gjigante, veçanërisht ato të naftës dhe gazit. Megjithatë, misteret ende i mbajnë të mbështjella muret e larta të Kremlinit. Njerëzit brenda dhe jashtë Rusisë pyesin se çfarë drejtimi po merr vendi. Kjo paqartësi paraqet problem në veçanti për Shtëpinë e Bardhë, e cila është e gatshme të shtypë butonin e rifillimit në raport me Moskën. Shtëpia e Bardhë ka nevojë për Moskën në disa çështje themelore, siç janë: Irani dhe lufta në Afganistan. Deri para pak muajsh është menduar se Putini, tani kryeministër, është ai që drejton punët e Rusisë. Kurse, presidenti Medvedev, i zgjedhuri dhe i mbrojturi i kryeministrit, është vetëm kone e Putinit. Megjithatë, duket se gjërat nuk janë plotësisht kështu. Në fjalimet e tij, Medvedevi duket sikur dëshiron ta largojë Rusinë nga modeli i Putinit. Gjatë fjalimeve të tij, përfshirë fjalimin para kombit, paraqitjen para partisë së tij Rusia e Bashkuar, si dhe në manifestin e publikuar në faqen e internetit, Medvedevi ka kritikuar ashpër ato që ka ngritur mësuesi i tij. Padyshim, ai nuk përmendi emra. Medvedevi kundërshtoi korporatat shtetërore dhe varësinë e sëmurë të Rusisë nga të ardhurat prej burimeve natyrore. Po kështu, shefi i Kremlinit ngriti pikëpyetje dhe mbi stilin e politikës së jashtme ruse. Jurist me profesion, Medvedevi duket se po përpiqet të shtyjë përpara shtetin ligjor, si dhe i kërkoi partisë së tij Rusia e Bashkuar, që të mësojë të fitojë zgjedhjet në mënyrë të ndershme. Komentet erdhën pas akuzave se zgjedhjet rajonale të tetorit ishin të manipuluara. Lufta kundër korrupsionit, që veçse thellohet, është lart në listën e përparësive të presidentit rus. Llogaritet se një e treta e prodhimit të brendshëm të Rusisë shkon për të paguar ryshfete. Të gjitha këto kërkesa bëhen në emër të modernizimit të Rusisë dhe të gjitha mirëpriten nga perëndimi nëse vihen në jetë. Por, presidenti rus ka marrë pak hapa për të mbështetur në realitet retorikën, që e ka zanafillën që nga fillimi i presidencës së tij. Megjithatë, këtu ia vlen të theksohet urdhri i Medvedevit për hetimin e vdekjes në burg të një avokati, i cili kishte folur gjithmonë për më shumë transparencë në Rusi. Medvedevi ka larguar nga puna këshilltarin e tij për media, njëherësh një aleat i Putinit, për abuzim me detyrën. Mosveprimi i Medvedevit ka shkaktuar shumë spekulime. A është ai realisht i interesuar për një drejtim ndryshe nga ai i Putinit, apo është thjesht një valvolë e përdorur prej kryeministrit për të kontrolluar frustrimet e publikut? Ndoshta të dyja ekzistojnë së bashku me qëllim që të kënaqin audienca të ndryshme. Nga ana tjetër, Putini e mbështeti fjalimin e Medvedevit para kombit, që kërkonte modernizimin e ekonomisë. E vërteta është se askush nuk e di me siguri se si janë dhe në ç'drejtim po shkojnë marrëdhëniet Medvedev-Putin. Ndoshta dhe ata vetë nuk e kanë shumë të qartë. Gjërat do të jenë më të qarta me afrimin e zgjedhjeve të vitit 2012, zgjedhje në të cilat Putini ka të drejtë të kandidojë sërish për postin e presidentit. Kjo pasiguri e bën shumë të rrezikshme marrjen e anëve, thjesht duke hamendësuar. Shtetet e Bashkuara nuk kanë zgjedhje veçse t'i qasen kësaj situate të paqartë në mënyrën më të mirë të mundshme; të përpiqen të përfitojnë kur munden, të mbrojnë interesat e të dyja vendeve kur ka vend për një gjë të tillë dhe të kenë mosmarrëveshje kur një gjë e tillë duhet. Medvedevi mund të jetë Gorbaçovi tjetër i Rusisë e kjo do të ishte pozitive. Megjithatë, mos llogarisni shumë tek ai!Â