English

Meta-Sejdiu: Faktori politik, pjekuri e dukshme dhe nxitëse për Rajonin

Prishtinë, 25 Nëntor NOA - Në vijim të vizitës së tij zyrtare dyditore në Kosovë, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Takimi Meta-Sejdiu u përqendrua kryesisht në marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi në kuadër të proçeseve integruese evropiane dhe euroatlantike, zhvillimet në rajon e më gjerë.Â

Meta, e uroi Presidentin Sejdiu për pjekurinë e treguar nga faktori politik dhe mbarë shoqëria Kosovare, përfshi komunitetet pakicë, për klimën e qetë në të cilën u zhvilluan zgjedhjet lokale, të cilat përmbushën standardet dhe u vlerësuan ndërkombëtarisht.Â

Presidenti Sejdiu, pasi e informoi z. Meta për zhvillimet politike dhe sfidat me të cilat përballet Kosova, e falendëroi atë për mbështetjen e Tiranës zyrtare në të gjithë proçeset që ka kaluar Kosova, për shpalljen e pavarësisë, njohjen e saj ndërkombëtare dhe mbështetjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në mbrojtje të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës.Â

Z. Meta shprehu bindjen se opinioni këshillimor i Gjykatës do të jetë i drejtë e realist dhe cilido qoftë ky opinion, nuk do të ketë asnjë efekt juridik për pavarësinë e Kosovës, e cila është e pakthyeshme.

Meta vlerësoi dhe bashkëpunimin e Autoriteteve të Kosovës me misionin EULEX dhe prezencën tjetër ndërkombëtare, duke respektuar Kushtetutën e Kosovës dhe shprehu bindjen se ato do të përmbushin përgjegjësitë e tyre, për garantimin e shtetit ligjor, arritjen e standardeve evropiane, duke shkurtuar rrugën e Kosovës drejt BE-së e NATO-s. Me këtë rast, ai ritheksoi gatishmërinë për shkëmbimin e përvojave integruese.Â

Meta dhe Sejdiu shprehën bindjen e tyre se njohja e gjerë ndërkombëtare, anëtarësimi i Kosovës në Bankën Botërore, FMN, dhe organizma të tjera ndërkombëtare financiare do t'i japin impulse pozitive zhvillimeve ekonomiko-sociale në Kosovë.Â

Në takim, Meta u shpreh se është një fat i madh për brezat tanë që po përjetojnë Kosovën e pavarur dhe se një Kosovë demokratike dhe evropiane i shërben forcimit të paqes në rajon.

Gjithashtu ai shprehu vlerësimin e tij për rrugën e re që lidh dy vendet, e cila i rrit vlerën si Shqipërisë ashtu edhe Kosovës, në kuadrin rajonal dhe më gjerë.

Të dy bashkëbiseduesit i vlerësuan të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe dhe shprehën bindjen se kjo vizitë, si dhe vizitat tjera të nivelit të lartë, i shërbejnë thellimit dhe konkretizimit të mëtejshëm të tyre, për t'i shndërruar ato në marrëdhënie model në rajon.Â

a.b/e.r/NOA

KOMENTE