English

Meta takohet me Kryeministrin Thaçi: Proçeset e nisura në Kosovë janë të pakthyeshme

Prishtinë, 25 Nëntor NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u prit në një takim të veçantë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Meta vlerësoi konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe shprehu kënaqësinë e tij për sukseset e jashtëzakonshme të arritura në pak kohë.

Në këtë kuadër, ai përshëndeti klimën e qetë të zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit, të vlerësuar nga faktori ndërkombëtar për përmbushjen e standardeve, si dëshmi e maturisë së faktorit politik dhe funksionimit të mirë të institucioneve kosovare, duke theksuar se proçeset e nisura në Kosovë janë të pakthyeshme.

Ai gjithashtu vlerësoi, se pjesëmarrja në zgjedhje e komuniteteve pakicë, sidomos atij serb, përbën një pikë kthese për ndërtimin e një shoqërie demokratike e multienike në Kosovë, ku çdo qytetar i saj, pavarësisht nga përkatësia etnike, ta ndjejë veten qytetar të këtij shteti të ri.

Nga ana e tij kryeministri Thaçi e falënderoi z. Meta për përpjekjet e tij personale dhe për kontributin institucional të Qeverisë shqiptare për lobimin që është bërë për njohjen e mëtejshme të Kosovës si dhe për anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtare.

Më tej u diskutua për zhvillimet në të dy vendet, në rajon dhe proçeset integruese evropiane dhe euroatlantike.

Z. Meta vlerësoi si një hap pozitiv në këtë drejtim, propozimet e bëra Kosovës për fillimin e dialogut për proçesin e liberalizimit të vizave, marrëveshjet tregtare në zonën e BE-së, dhe bisedimet për proçesin e stabilizim-asociimit. Me këtë rast, ai ofroi përvojën e Shqipërisë në proçeset integruese.Â

Nga ana e tij, z. Thaçi e uroi z. Meta për stadin e ri të integrimit të Shqipërisë në BE dhe shprehu vullnetin e Qeverisë së Kosovës për të ndjekur të njëjtën rrugë të integrimit evropian, duke marrë eksperiencën e Shqipërisë në këtë proces.

Lidhur me seancën dëgjimore të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që fillon më 1 dhjetor, të dy bashkëbiseduesit shprehën bindjen se opinioni këshillimor i saj, për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, do të jetë i drejtë dhe realist.

Ata theksuan se cilido qoftë ky opinion, nuk do të ketë asnjë efekt juridik për pavarësisë së Kosovës, e cila është e pakthyeshme.

Meta e informoi bashkëbiseduesin e tij për lobingun dhe përgatitjen intensive të Shqipërisë për mbrojtjen e çështjes së shtetit të pavarur të Kosovës në këtë gjykatë.

Z Thaçi falënderoi për mbështetjen e gjithanshme të Shqipërisë në njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe progresin e arritur prej saj deri tani.Â

Duke u ndalur në marrëdhëniet dypalëshe, z. Meta dhe z. Thaçi i vlerësuan ato të shkëlqyera, me shkëmbime ekonomiko-tregtare në rritje nga viti në vit.

Ata theksuan se po punohet intensivisht në përgatitjen e marrëveshjeve të reja në fushat e ekonomisë, drejtësisë, arsimit, kulturës, turizmit, shëndetësisë, mjedisit etj., të cilat do t'i shndërrojnë marrëdhëniet mes dy vendeve, në marrëdhënie model për rajonin.Â

e.l/NOA

KOMENTE