English

Mitingu i madh, i një kauze të vogël

"Është koha që të zgjohemi nga ideja naive se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë çelësi magjik që do ta pasurojë dhe pastrojë skenën tonë politike. Ato janë një kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm. Zgjedhjet e fundit treguan se sistemi aktual i qeverisjes është i aftë ta riprodhojë veten edhe me zgjedhje të lira dhe të ndershme"

Nga Blendi Kajsiu Po si mund të quhet kauzë e vogël kërkesa e drejtë për hapjen e kutive që ka të bëjë me lirinë themelore në demokraci, atë të votës? - mund të protestojë me të drejtë shumëkush. E megjithatë fakti që kërkesa e opozitës për hapjen e kutive është e drejtë, nuk e bën atë një kauzë të madhe. Natyrisht që opozita ka të drejtë që ngulmon tek hapja e tyre. Natyrisht që justifikimet e Berishës për mos të hapur kutitë janë pallavra që nuk i beson as ai vetë. Por e vërteta është se kutitë e mbyllura e kanë bërë pis, por nuk e kanë deformuar në thelb vullnetin e elektoratit. E vërteta është se Partia Demokratike dhe LSI'ja së bashku kanë më shumë vota sesa PS'ja. Dhe këtë e ka pranuar edhe vetë Rama kur akuzoi LSI'në se trafikoi djathtas 80.000 zemra të majta. Ndaj, hapja e kutive ndonëse është një kauzë e madhe për liderin e Partisë Socialiste është një kauzë e vogël për demokracinë shqiptare në përgjithësi. Sot në vitin 2009 rreziku kryesor për demokracinë shqiptare nuk është mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Rreziku kryesor për demokracinë shqiptare sot është thjesht mungesa e zgjedhjes, si politike ashtu edhe morale. Pikërisht këtë fenomen nxorën në pah dhe thelluan edhe zgjedhjet e fundit. Së pari ato treguan mungesën e zgjedhjes si politike ashtu edhe morale mes dy apo tri ofertave kryesore. Si Berisha, si Rama, ashtu edhe Meta, në thelb janë kthyer në liderë që vijnë në pushtet për t'u pasuruar personalisht dhe për t'i shpërndarë favore klientelave përkatëse nën parullën tashmë bajate të integrimit euroatlantik. Së dyti, produkti i zgjedhjeve të fundit ishte një puç ndaj moralit të mbetur të skenës sonë politike. Këto zgjedhje risollën në pushtet qeverinë e Gërdecit jo vetëm me Berishën kryeministër, por edhe me Mediun ministër. Dhe kjo ndodhi jo sepse populli votëbesoi Berishën, por sepse Berisha i mori Ramës Metën. Kaq. Pasojat e gërmadhës morale që kemi sot në pushtet (për ta përdorur një shprehje opozitare) janë edhe skandalet e pafundme që përditë nxjerrin në pah pasurimin e familjes kryeministrore, apo të klientelës përkatëse. Këto fenomene nuk kanë të bëjnë thjesht me çështjen e kutive. Dhe këtë e kupton mirë edhe Edi Rama që ndonëse nga njëra anë kërkon hapjen e kutive, në miting flet për imoralitetin dhe korrupsionin e familjes kryeministrore dhe të sistemit aktual të qeverisjes. Edhe nëse kutitë hapen nesër, dy handikapët kryesore të skenës sonë politike - mungesa e alternativës dhe e moralit politik - do mbeten. Është koha që të zgjohemi nga ideja naive se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë çelësi magjik që do ta pasurojë dhe pastrojë skenën tonë politike. Ato janë një kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm. Zgjedhjet e fundit treguan se sistemi aktual i qeverisjes është i aftë ta riprodhojë veten edhe me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Lidhja "media - biznes - politikë", kombinuar me mungesën e çdo skrupulli publik që buron nga degradimi moral i skenës sonë politike, mundëson çfarëdolloj aleance për të mbajtur apo marrë pushtetin. Në kushte të tilla nuk ka rëndësi se çfarë i ke thënë apo se çfarë i ke bërë elektoratit. Nuk ka rëndësi se në çfarë skandali je përfshirë, apo sa jetë njerëzish ka marrë një përfshirje e tillë. Nëse je në koalicionin e duhur në momentin e duhur mund të rrish apo të vish në pushtet edhe me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të synojmë dhe kërkojmë zgjedhje të ndershme dhe të lira. Çështja shtrohet që sot në krahasim me dje demokracia shqiptare është shumë më pranë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe shumë më larg moralit politik të një shoqërie demokratike. Në këto 20 vite kemi një degradim të vazhdueshëm të moralit qeverisës, me gjithë përmirësimin e vazhdueshëm të procesit zgjedhor. Vetë aleanca Berisha-Meta, e paraprirë nga aleanca Nano-Berisha, është kulmimi më i qartë i këtij degradimi. Në këto kushte sfida kryesore me të cilën përballet demokracia shqiptare sot nuk është hapja e disa kutive që do tregojnë se vullneti i elektoratit është bërë pis. Problemi kryesor i demokracisë shqiptare sot është mungesa e një standardi minimal në mënyrën se si ushtrohet pushteti për qëllime thellësisht personale në kurriz të qytetarëve. Këtu duhet kërkuar edhe pjesëmarrja masive në mitingun e opozitës; tek pakënaqësia në rritje me mënyrën shpesh të paturpshme se si ushtrohet sot pushtetit në Shqipëri. Dhe shembulli më revoltues në këtë aspekt nuk është mbyllja e kutive, por mbyllja e çështjes së Gërdecit. Ishte Gërdeci ai që hodhi në erë çdo standard moral të qeverisjes. Ishte Gërdeci ai që kërkonte jo vetëm demonstrata masive, por edhe ultimatume për dorëheqjen e kryeministrit përballë Watergate'it shqiptar. Këto ultimatume nuk u bënë dje jo sepse mungonte zemërimi popullor, por sepse mungonte interesi i Ramës. Ashtu sikurse ultimatumin për rrëzimin e Qeverisë sot për një çështje shumë më të vogël se Gërdeci dje, Rama e bën për të shpëtuar karrierën e tij politike. Ama midis kauzës së vogël të Ramës për hapjen e kutive nëpërmjet së cilës ai synon të qëndrojë në krye të PS'së dhe mitingut të madh opozitar që shpreh revoltën me mungesën e moralit qeverisës ekziston ende një hendek i madh. Që ky hendek të mbyllet, opozita duhet të synojë jo vetëm vendosjen e një standardi elektoral siç është hapja e kutive, por mbi të gjitha vendosjen e një standardi moral në mënyrën se si qeveriset. Një standard që nesër duhet ta kufizojë edhe degradimin e opozitës nëse ajo vjen në pushtet. Përndryshe, rotacioni i pushtetit nëpërmjet zgjedhjeve të lira do vazhdojë të shoqërohet me degradimin e tij. Prandaj le të shpresojmë që pas një mitingu të madh opozita do arrijë të gjejë edhe një kauzë të madhe që nuk kufizohet nga karriera politike e liderit të saj.

KOMENTE