English

Pelegrinazhi, mbi 2.5 milionë myslimanë mbërrijnë në Mekë e Medine për t'u falur

Mekë, 25 nëntor, NOA - Mbi 2.5 milionë besimtarë myslimanë ndodhen sot në qytetet e shenjta të Mekës dhe Medimes për të kryer ritin e pelegrinazhit të tyre vjetor, duke pritur edhe festën e kurban Bajramit.

Pelegrinazhi ose haxhillëku në Mekë, është një ndër pesë shtyllat kryesore të besimit islam dhe konsiderohet si detyrim për t'u kryer nga çdo mysliman të paktën një herë gjatë jetës së tij, duke përfaqësuar fazën e fundit në udhëtimin e shtegtarit shpirtëror.

Alarmi për pandeminë botërore të gripit të derrit, sipas autoriteteve arabe e ka pakësuar pak numrin e besimtarëve të pelegrinazhit, por gjithsesi ata janë të shumtë në numër.

Nga ana e saj, bëhet me dijeni se qeveria e Arabisë Saudite ka ndërmarrë masa të jashtëzakonshme për kontrollim mjekësor të besimtarëve.

Janë 14 shekuj me radhë që myslimanët mblidhen në Mekë duke ndjekur shembullin e profetit Muhamed dhe duke rikujtuar historinë e profetëve Ibrahim dhe birit të tij Ismailit.

Kërkesa e parë e pelegrinazhit, është heqja e të gjitha veshjeve të kushtueshme dhe mbajtjen vetëm të dy çarçafëve për të mbuluar trupin, duke shkëputur kështu gjithë lidhjeve materiale për hir të dashurisë së Zotit.

Ndërkaq, ai pasohet edhe nga rrotullimi rreth Qabesë, shtëpisë së atij që adhuron dhe të cilit ai i falet.

n.e/NOA

KOMENTE