Tiranë, 25 nëntor, NOA - Pritet të ekstradohet paraditen e sotme në Shqipëri nga Turqia, Aldo Bare, i njohur si kreu i bandës së Lushnjës.
Lajmi konfirmohet nga burime policore, të cilat bëjnë me dijeni se ora e mbërritjes së Bares do të jetë saktësisht 10.00 dhe se janë marrë të gjitha masat për sigurimin e masave të rrepta të sigurisë në aeroportin e Rinasit kur ai t'u dorëzohet autoriteteve shqiptare.
Aldo Bare, me emrin e tij të vërtetë Alfred Shkurti është arrestuar në Ankara në 25 mars 2006 pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij.
Ai strehohej në Turqi me identitetin e rremë Mikel Kodra, duke u prezantuar si shqiptaro-maqedonas.
Njëkohësisht, Aldo Baren e kërkonin dhe vende të tjera si Italia, Gjermania, Bullgaria, Rumania, Maqedonia, ku ai rezultonte si drejtues i një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Ai akuzohet si kreu i bandës kriminale të njohur me emrin "Banda e Lushnjës", ndaj së cilës rëndon faji për kryerjen e një sërë vrasjesh si masakrimin në korrik të 1997 i Artur Dajës, ajo në vitin 2000 e agjentit të policisë Klenti Bano, për vendosjen e eksplozivit në stadiumin e Lushnjës, për vrasjen në janar të vitit 2005 të Klodian Haxhiut, për vendosjen në mars të 2005 të eksplozivit në një apartament në rrugën "Don Bosko" në Tiranë etj.
n.e/NOA