"Është një garë midis dy sistemeve: Indisë kaotike me qeverisje të mangët dhe Kinës së organizuar e të tejqeverisur", thotë Mohan Guruswamy, bashkautor i librit të ri "Chasing the Dragon", që ka të bëjë me rivalitetin ekonomik në mes të dy vendeve. Gara vazhdon, kurse SHBA përpiqet që të mban lidhje të forta me të dyja palët. Ky është një akt i vështirë i balancimit që mund të jetë sfida më e rëndësishme gjeopolitike me të cilën Washingtoni ballafaqohet në këtë shekull"
Nga Jyoti Thottam*
Çdo Luftë e Ftohtë ka aktorët e saj. Në malet e Himalajës, ushtritë e Indisë dhe Kinës vëzhgojnë kufirin, për vijën e të cilit dy vendet nuk pajtohen. Në këtë pjesë të kontestuar të kufirit, ushtarët që patrullojnë natën shpesh lënë prapa dëshmitë e pranisë së tyre. Kur marrëdhëniet mes dy vendeve janë të mira, prania e tyre është më e vogël; kur situata është e tendosur, zbulohen dëshmi të "kontrollit agresiv të kufirit". Ndonëse pa konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak, tendosjet mes dy superfuqive të Azisë janë duke u shtuar. India dhe Kina kurrë nuk kanë qenë të afërta mes vete, por që të dy shtetet së fundi kanë qenë të angazhuara në diplomaci. Në shtator, India sinjalizoi aprovimin e vizitës së planifikuar të Dalai Lamës në qytetin kufitar Tavang, në të cilin gjendet një tempull i famshëm budist- hap ky i cili nga Kina është cilësuar si provokim. Pekini më pas kundërshtoi edhe vizitën e Kryeministrit të Indisë, Manmohan Singh, në Arunachal Pradesh, duke pretenduar se ky territor është pjesë e Tibetit, i cili i takon Kinës. Të hidhëruar me qëndrimin e Kinës se udhëheqësit indianë nuk duhet t'i vizitojnë territoret të cilat ligjërisht njihen si pjesë të Indisë, zyrtarët në New Delhi kundërshtuan ndërtimin e termocentralit që Kina është duke e ndërtuar në territorin e Kashmirit të kontrolluar nga Pakistani, territor ky të cilin e pretendon India. Askush nuk pret që retorika e ashpër të precipitojë në konflikt të armatosur, por armiqësia mes dy vendeve është reale. Kufiri mes Kinës dhe Indisë ka një gjatësi prej 3500 kilometrash. India dhe Kina kanë zhvilluar një luftë të shkurtër në vitin 1962, për t'u përplasur më pas sërish në vitin 1967. Por, që nga viti 1993, dy vendet kanë bashkëekzistuar pak a shumë në mënyrë paqësore, përgjatë kufirit, vijat e të cilit ende nuk janë përcaktuar. Kina është një fuqi ekonomike, por që nga nënshkrimi i marrëveshjes civile bërthamore mes Indisë dhe SHBA'së, vitin e kaluar, Pekini nuk po e ndien vetën rehat për shkak të forcimit të ndikimit rajonal të Indisë. "Është një garë midis dy sistemeve: Indisë kaotike me qeverisje të mangët dhe Kinës së organizuar e të tejqeverisur", thotë Mohan Guruswamy, bashkautor i librit të ri "Chasing the Dragon", që ka të bëjë me rivalitetin ekonomik në mes të dy vendeve. Gara vazhdon, kurse SHBA përpiqet që të mban lidhje të forta me të dyja palët. Ky është një akt i vështirë i balancimit që mund të jetë sfida më e rëndësishme gjeopolitike me të cilën Washingtoni ballafaqohet në këtë shekull. Qyteti i vogël Tavang është qendër e konfrontimit aktual. Ky është vendi ku forcat kineze depërtuan në territorin e Indisë gjatë luftës në vitin 1962, dhe që nga ajo kohë Tavangu është seli e një brigade të ushtrisë së Indisë. Ushtarët në këtë qytet duken në të gjitha anët, ngase numri i tyre është mjaft i madh - 15 mijë ushtarë të stacionuar në këtë qytet me 80 mijë banorë. Guvernatori i shtetit të Arunachal Pradeshit, J.J Singh, ka theksuar se në Tavang do të stacionohen edhe 50 mijë ushtarë shtesë, duke thënë se ky shtim nuk ka lidhje me tendosjen e marrëdhënieve me Kinën. Pa apo me ushtarë shtesë, India po e vëzhgon me kujdes kufirin. Singh potencon se ushtria kineze së fundi ka zhvilluar një manovër masive ushtarake në Tibet, në të cilën kanë qenë të përfshirë 50 mijë ushtarë kinezë. Natyrisht, situata gjeopolitike ka ndryshuar që nga lufta e shkurtë mes dy vendeve në vitin 1962. Kina tani është e ndërlidhur ngushtë me ekonominë e SHBA'së, ndërsa presidenti amerikan, Barack Obama, ka përdorur një ton më pajtues me udhëheqësit në Pekin. Ai u dakordua që të mos takohej me Dalai Lamën gjatë vizitës së tij në Kinë. Në të njëjtën kohë, Washingtoni po vendos lidhje gjithnjë e më të fuqishme ushtarake me Indinë. Të dyja palët do të mundohen ta qetësojnë situatën në samitin e ardhshëm të kombeve të Azisë Jugore në Bangkok. Manmohan Singh dhe Wen Jiabao, Kryeministri i Kinës, pritet të takohen në margjina, ndonëse një bisedë e vetme nuk do ta zgjidhë historinë e tyre të komplikuar. Të dy shtetet ende janë të përfshira në lojën e cila tash zhvillohet në miniaturë. Për shembull, kohë më parë një student nga Kashmiri mori vizën kineze të kapur me kapëse teli, pra jo të ngjitur në pasaportë. Në mënyrë implicite kjo e vuri në pikëpyetje statusin e Kashmirit si shtet të Indisë. Edhe autoritetet indiane mund ta bëjnë të njëjtën për banorët e Tibetit. Natyrisht, këto janë gjëra të vogla. Por, ato mund të rriten. Dhe lart në Himalaje, ushtarët vazhdojnë patrullimet e tyre.
(*) "Time"