Uashington, 25 nëntor, NOA - Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar edhe një herë nga aleatët e tyre të Aleancës së Atlantikut që të dërgojnë më shumë ushtarë për në Afganistan.
Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni një zëdhënës i Pentagonit në Uashington, sipas të cilit presidenti Obama pret një angazhim më të madh të partnerëve të NATO-s, lidhur me shtimin e planifikuar të trupave amerikane.
"Nëse është e nevojshme që të shtohen trupat, presim që edhe aleatët të bëjnë të njëjtën gjë. Jam i sigurtë që do zhvillohen bisedime me aleatët lidhur me trupat dhe kohën", tha sekretari i shtypit, Geoff Morrel.
Ndërkaq, mediat kanë nisur të përflasin shifrën e 34 mijë ushtarëve shtesë që pritet të dërgohen nga SHBA në rajonin e Afganistanit.
Nga ana e tij, komandanti amerikan dhe i NATO-s në Afganistan, gjenerali Stanley McChrystal ka thënë se duhen më shumë trupa ose përkundrazi përpjekjet e Aleancës, mund të përballen me dështimin si rezultat i rigjallërimit të Talebanëve.
Ky vlerësim dhe një kërkesë sekrete për trupa, çuan në rishikimin e strategjisë të udhëhequr nga presidenti Obama në muajt e fundit, për të cilën thotë se do të ketë një vendim shumë shpejt.
n.e/NOA