English

Berisha i premton Ramës: Do përballem me ty me të njëjtin vullnet që u përballa në vitin 91

Tiranë, 26 nëntor NOA/UPDATE- "Rama bllokon opozitën të kthehet në Kuvend dhe e ka kthyer atë në opozitë rruge" u shpreh kryeministri Sali Berisha sot gjatë fjalës së tij Kuvend, duke shtuar se Rama kërkon që bashkë të vendosin zhbërjen e vendimit të gjykatës për zgjedhjet.

"Të dy bashkë përcaktuam rregullat për zgjedhjet por ndryshimi mes meje dhe atij ishte se kodin e hartoi ai" tha kryeministri.

Berisha shkoi më tej me premtimet e tij duke iu drejtuar kreut të opozitës nga podiumi i Kuvendit se do të përballet me të ashtu siç veproi në vitin 1991.

"Të jap fjalën e nderit ty zoti Rama që me vullnetin që jam përballur në vitin 1991 do të përballem edhe sot me mafien që ti kryeson dhe për këtë ti je i pashpresë" iu drejtua Berisha kreut të opozitës nga Kuvendi.

Më tej Berisha e ka quajtur protestën tre ditore të opozitës për hapjen e kutive, si një miting funebre duke shtuar se Rama po kthen Murin e Brelinit.

Megjithëse deklarata e dy ditëve më parë e Berishës se do t'i thyente dhëmbët dhe dhëmballët opozitës pati reagime nga spektri opozitar, Berisha nuk ka hezituar ta ripërsërisë këtë deklaratë edhe sot në Kuvend duke thënë se do t'i shkulë dhëmbët aleancës puniste mafioze.

"Unë garantoj Parlamentin Evropian se kjo mazhorancë ka vullnetin e hekurt, inteligjencën e mjaftueshme për ti shtrirë opozitës dorën e bashkëpunimit në kuadrin e një vendi demokratik" shtoi më tej gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë.

k.k/NOA

KOMENTE