English

Ekspozita e Armëve 1944 në Muzeun Historik Kombëtar

Tiranë, 26 nëntor NOA - Sot paradite, në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar u hap ekspozita e armëve të luftës gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë në vitet 1939-1944.

Të vendosura në mjedis të këtij institucioni, armët janë prodhime italiane dhe gjermane, të marra gjatë luftës nga forcat shqiptare antifashiste.

Në ceremoninë e hapjes, drejtori i këtij Muzeu, Luan Malltezi shpjegoi për të pranishmit se "Kjo ekspozitë dëshmon për luftën dhe përpjekjen e popullit shqiptar, aspiratat e tij për liri, në periudhën e pushtimit".

Ekspozitë, e prezantuar në kuadër të festimeve në Tiranë të 65-vjetorit të Çlirimit të vendit sjell eksponate të rëndësishme dhe me vlerë historike si :Automatiku dhe doreza goditëse metalike e oficerit gjerman, Fon Essen, nip i Geringut, i vrarë në Shqipëri në luftën e Pezës.

Me interes të veçantë janë edhe eksponatet e armëve që sjellin frymën e luftës, ku mitraloz, pistoleta tip Esperanza, Berrette, Belgjik 2547 janë një dëshmi e gjallë e luftës partizane, në vitet e përpjekjes për liri dhe pavarësi.

Është menduar nga organizatorët të ‘zbresë' nga pavijoni i armëve edhe një tas dhéu  nga kampi i Mathauzenit, dhuruar Muzeut Kombëtar nga Dhimitër Simoni, ish-rob lufte në këtë kamp famëkeq të përqendrimit.

Në një mjedis të kufizuar të ekspozimit mund të shohësh edhe dylbi gjermane, granata, aparate radio -marrëse, radiostacion, murtaja, etj.

Një nga armët me vlerë dhe që e bën më të rëndësishme këtë ekspozitë mbetet padyshim mitralozi i Mujo Ulqinakut, tip Brenda italiane, një nga dëshmitë më të gjalla të qëndresë shqiptare ndaj pushtimit fashist 1939.

Ekspozita është e hapur për publikun deri në fund të dhjetori 2009.

m.s/NOA

KOMENTE