English

Erkand Qerimaj, i shtati në Botërorin e Guojangut

Vendi i 7-të në shkëputje, i 8-të në shtytje dhe vulos kështu vendin e 7-të në dygarësh me 349 kg. Ky rezultat përbën një përmirësim nga vendi i 13-të që arriti vjet në Olimpiadën e Pekinit

Kore e Jugut, 27 Nëntor NOA - Shqipëria po merr pjesë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes për Të Rritur, që po zhvillohet në Kore të Jugut, dhe garimi i kuqezinjve ka vijuar sot me Erkand Qerimajn.

Ai nuk ka shkuar dot më larg se vendi i 7-të në botë në dygarësh, çka përbën një përmirësim nga vendi i 13-të që arriti vjet në Olimpiadën e Pekinit.

***

Në Guojang të Koresë së Jugut po zhvillohet Kampionati Botëror i Peshëngritjes për Të Rritur, në të cilin Shqipëria do të përfaqësohet me 3 prej sportistëve të saj më të mirë. Dhe, pas Romela Begajt, që ka konkurruar të hënën, të martën ka qenë radha e Erkand Qerimajt, i cili ka garuar në kategorinë e peshës deri në 77 kg.

Në shkëputje, sportisti shqiptar ka dështuar në provën e parë me 153 kg, por e ka korrigjuar veten në atë të dytën, duke e ngritur me sukses këtë peshë. Ndërkaq, në provën e tretë, ai ka ngritur me sukses 156 kg, duke marrë vendin e 7-të në stilin e shkëputjes. Ndërkaq, në atë të shtytjes, ai ka ngritur me sukses 187 kg në provën e parë, ndërsa ka dështuar në provën e dytë me 192 kg.

Por në provën e tretë, ai ka ngritur 193 kg, duke marrë vendin e 8-të në shtytje dhe duke vulosur kështu vendin e 7-të në dygarësh me 349 kg. Garimi i kuqezinjve ka nisur të hënën me Romela Begajn, e cila ka konkurruar në kategorinë e peshës trupore deri në 58 kg. Ajo ka ka qenë mjaft pranë zonës së medaljeve, por është detyruar të kënaqet me vendin e katërt në botë, me një total prej 207 kg në dygarësh.

Renditja e katërta në botë përbën një përmirësim prej dy vendesh krahasuar me Lojërat Olimpike të 2008-s dhe premton mjaft për ato të ardhshmet, "Londër 2012".

Përveç Romela Begajt dhe Erkand Qerimajt, për Shqipërinë do të konkurrojë dhe Ervis Tabaku, në peshën deri në 85 kg.

Tre sportistët shoqërohen edhe nga trajnerët e tyre, Zef Kovaçi, Sokol Bishanaku dhe Hektor Shaqiri.

KOMENTE