Tiranë, 26 nëntor NOA - Policia e Shtetit njoftoi sot se gjatë ditës së nesërme do të ketë kufizime të qarkullimit rrugor me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Kështu ditën e nesërme nga ora 05:00 deri në orën 09:00 në sheshin "Skënderbej" Tiranë do të kryhen ritet e faljes, në këtë kontekst Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka marrë masa për garantimin e zhvillimit normal të këtij aktiviteti fetar. Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti do të bëhet kufizimi i lëvizjes në sheshin "Skënderbej" nga ora 04:00 deri në orën 09:00 të datës 27.11.2009, si dhe i rrugëve që të çojnë në sheshin "Skënderbej", duke kufizuar drejtimin e lëvizjes së mjeteve në rrugët: Luigj Gurakuqi, pranë Ushtarit të Panjohur, rruga e "Dibrës", Bulevardi "Zogu i Parë", pranë Hotel Tirana Internacional, rruga "Seid Topatani" pranë kryqëzimit të Ministrisë së Mbrojtjes me atë të Ministrisë së Brendshme, rrugën e Kavajës në drejtim të sheshit "Skënderbej", si dhe në kryqëzimin pranë Muzeut Kombëtar. Gjithashtu Policia e Shtetit njoftoi sot se kufizime të qarkullimit rrugor do të ketë edhe më datë 28 nëntor me rastin e zhvillimit të garave çiklistike për kupën "Pavarësia"
Sipas policisë do të ketë kufizim të lëvizjes tek sheshit "Skënderbej", Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", sheshi "Nënë Tereza", nga ora 10.00 deri në orën 12.00. Gjithashtu Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ka marrë masa për kufizimin e lëvizjes në sheshin "Nënë Tereza", pjesa nga shatërvani deri tek Korpusi Qendror i Universitetit të Tiranës, pasi po me datë 28.11.2009 nga ora 09.00 deri në orën 22.00, nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është planifikuar zhvillimi i disa aktiviteteve kulturore, artistike e sportive.
k.k/NOA