English

Gjykata lë në burg inspektorin e policisë që informonte të shumëkërkuarin Dritan Dajti

Tiranë, 26 nëntor, NOA - Gjykata e Tiranës vendos të lërë në burg inspektorin e policisë i cili furnizonte me informacione të shumëkërkuarin Dritan Dajti gjatë kohës që ky i fundit ka qenë në arrati.

Vendimi mësohet të jetë marrë paraditen e sotme në seancën paraprake ku është marrë në shqyrtim masa e sigurisë për efektivin me emrin Mariglen Muça, i cili vetëm pak ditë më parë u arrestua nga forcat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.

Gjykatësit nuk e kanë pranuar ndërkaq kërkesën e avokatit të Muçës për zbutjen e masës ndaj tij, vetëm me detyrim paraqitje, duke lënë në fuqi masën ekzistuese "arrest me burg" ndaj tij, ndërkohë që hetimet për këtë çështje po vazhdojnë.

Ndërkohë që hetimet e deritanishme të kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm rreth lidhjes së fshehtë që mbante me Dritan Dajtin, treguan se inspektori Muça e informonte atë gjatë kohës që ishte në arrati.

Dajti aktualisht gjendet në burg, pas arrestimit në aksionin e organizuar ndaj tij para pak muajsh nga 4 policë, ku këta të fundit mbetën të gjithë të vrarë.

n.e/NOA

KOMENTE