English

"Java teatrore e të rinjve 2009", fitojnë çmim shfaqjet "Bernarda Alba" e "Morsa"

Tiranë, 26 nëntor, NOA Nga Milena Selimi - Përfundoi mbrëmë në darkë në teatrin Kombëtar "Java teatrore e të rinjve", një javë plot projekte dhe shfaqje në konceptime të reja regjisorësh të rinj, ku mes shumë dilemash, prezantimesh dhe emrave, juria shpalli fituesit.

Juria e ngritur për të përcaktuar projektin fitues në disa kategori, e përbërë nga aktori i mirënjohur i skenë dhe kinematografisë Ndriçim Xhepa, regjisori i ri Mikel Kalemi dhe përfaqësuesja e Ministrisë së Kulturës, Joli Gjovreku shpallën fituesit në ambientet e këtij institucioni.

Regjia më e mirë u fitua nga Alma Hoti për konceptimin skenik të shfaqjes "Shtëpia e Bernarda Albës". Aktori më i mirë protagonist, një çmim i cili i shkoi aktores së re Klodi Keco, për interpretimin në shfaqjen "Morsa", aktori më i mirë jo protagonist u shpall Marsela Lena për rolin e realizuar në dramën "Shtëpia e Bernarda Albës" dhe skenografia më e mirë i takoi Beqo Nanajt për konceptimin skenik të shfaqjes "Morsa" nga Luixhi Pirandelo.

Organizatorët e këtij aktiviteti ishin TK dhe MTKRS-ja. Regjia më e mirë, e fituar nga Alma Hoti, i jep të drejtën regjisores të ketë edhe disa shfaqje të tjera në Teatrin Kombëtar, si edhe një vlerësim material i cili shkon në kufijtë e 100 mijë lekëve. Burime të brendshme brenda institucionit tregojnë se kjo dramë do të vihet në skenë në datat 7-8 dhjetor.

Parë nga jashtë kjo vënie e regjisores së re në ditët e para të dhjetorit është gjetur nga drejtuesit e institucionit, jo thjesht si një projekt fitues, por edhe si një mundësi shpëtimi për të patur një shfaqje të re të sezonit, gjë që ky institucion tregoi se e kishte të pamundur për ta realizuar në fillimsezonin teatror 2009-2010.

KOMENTE