English

Kreu i Komisionit të Senatit Çek për BE: Bojkoti i opozitës po sjell dëm të madh

Tiranë 26 nëntor NOA - Kryeministri Berisha priti sot në takim delegacionin e Komisionit për Çështjet me Bashkimin Evropian, të Senatit Çek, të kryesuar nga Kryetari i Komisionit, Ludek Sefzig dhe nënkryetari i tij, Alexander Vondra.

 "Ju, zoti Berisha dhe qeveria juaj keni bërë vërtetë shumë për të përafruar Shqipërinë me Bashkimin Evropian, për hapin e madh, miratimin e shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në BE, si dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat", iu drejtua Kryetari i Komisionit për Çështjet me Bashkimin Evropian, në Senatin Çek, Kryeministrit Berisha.

"Gjatë qëndrimit tonë në Shqipëri, u informuam dhe pamë me sytë tanë reformat e realizuar nga qeveria juaj, të cila janë realisht impresionuese dhe po e shndërrojnë çdo ditë Shqipërinë", vijoi më tej, Sefzig.

Gjatë takimit, u vlerësuan gjithashtu marrëdhëniet politike mes dy qeverive dhe vendeve, të cilat bazohen në ndjenjat e miqësisë tradicionale mes dy popujve.

Senatorët çekë i shprehën kryeministrit Berisha gatishmërinë e tyre për t'i ofruar qeverisë shqiptare çdo lloj ndihme dhe mbështetjeje që ajo do të ketë nevojë, si në hapat e mëtejshëm të procesit të integrimit në BE, ashtu edhe në konsolidimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh, në të gjitha fushat. Â

Me tej, në takim u diskutua edhe mbi situatën paszgjedhore dhe vendimin e drejtuesit të opozitës për të bojkotuar Parlamentin e Shqipërisë. Senatorët çekë vlerësuan qëndrimin e hapur dhe transparent të qeverisë dhe të kryeministrit Berisha, për sa i përket kësaj çështjeje.

Parlamentarët çekë theksuan se kërkesat që bien ndesh me parimet themelore kushtetuese, siç është mosndërhyrja dhe mosndryshimi nga politika, i vendimeve të gjyqësorit, janë të rrezikshme, pasi mund të shkatërrojnë shtyllat themelore të demokracisë së një vendi.

"Kemi ardhur në Tiranë pasi jemi tërësisht të bindur, nga të gjitha raportet ndërkombëtare, për legjitimitetin e plotë të kësaj qeverie dhe vlerësojmë maksimalisht qëndrimin e Kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij, si dhe përpjekjet e tyre që në parlament të përfaqësohen të gjithë shqiptarët, edhe ata që votuan opozitën. Ata që vazhdojnë të sugjerojnë këtë bojkot, nuk e kanë idenë sesa i thellë është dëmi dhe impakti që kjo i shkakton Shqipërisë dhe imazhit të saj, ne veçanti, në kuadër të procesit të përafrimit me Bashkimin Evropian", u shpreh Kryetari i Komisionit të senatit çek, z. Ludek Sefzig.   Â

Përsa i përket bojkotit të opozitës, Vondra theksoi se "Ne besojmë se ky qëndrim bojkotues po i sjell një dëm të madh procesit të përafrimit të Shqipërisë në BE, prandaj është e rëndësishme që nxitësit e këtij bojkoti të kuptojnë që në këtë situatë, këto metoda të luftës së brendshme politike në vend, sjellin një impakt shumë negativ në marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë".

k.k/NOA

Â

KOMENTE