Nuk mund ta shpallësh prishjen e një koalicioni dhe pastaj të thuash që ishte lojë, sepse kjo dëmton autoritetin dhe besueshmërinë. Në një martesë me një partner problematik, gjykata është hapi i fundit. Nëse e çon çështjen deri në divorc, kthimi mbrapa e bën qesharak çdo kërcënim tjetër
Nga Armand Shkullaku* Foto: LSA
Shkarkimi disaorësh që kreu i mazhorancës, Hashim Thaçi, u bëri javën që shkoi krerëve më të lartë të institucioneve të Kosovës (Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit), u duk se shënoi kulmin e një nervozizmi të akumuluar gjatë fushatës elektorale dhe rezultatit të zgjedhjeve. Me një formë presioni aspak delikate dhe nëpërmjet një skeme bajate të përdorimit të mjeteve publike të informimit, Kryeministri Thaçi tentoi të bënte një diversion, fundin e të cilit ndoshta as vetë nuk e kishte menduar më së miri. Sepse, në përfundim të intrigës politike, Lidhja Demokratike e Kosovës mbeti po aty, AKR dhe LDD u ndjenë të përdorura, AAK-së iu dha një tjetër mundësi për të goditur moralin e Qeverisë dhe qytetarët e zbritën dhe një shkallë më poshtë mosbesimin ndaj institucioneve të shtetit. Ndërsa Hajredin Kuçi, i bindur si zakonisht, pa iu dridhur qerpiku doli përsëri për të thënë krejtësisht të kundërtën e asaj që kish deklaruar një natë më parë. Pra, në vend që të arrinte një rezultat nga kjo manovër politike, PDK-ja mori një kosto jo të vogël që nuk do të kalojë pa pasoja. Të tilla kosto janë zakonisht rezultat i veprimeve të pamenduara mirë, të dominimit të emocioneve e jo të arsyes politike, të sjelljeve nervoze dhe jo të lëvizjeve elegante. Hashim Thaçi është shquar gjatë këtyre dy viteve për një sjellje politikisht korrekte. Ai ka ditur t'i zotërojë emocionet dhe të japë përshtypjen e një Kryeministri të angazhuar me agjendën e Qeverisë dhe jo me akuzat e sulmet politike. Nuk është përfshirë në polemikat me partinë agresive të Haradinajt, ka ditur ta përdorë me mjeshtëri LDK'në dhe mbi të gjitha të ruajë qetësinë në përplasjet e fundit me këtë forcë politike gjatë fushatës zgjedhore. Në asnjë ditë të vetme gjatë fushatës ai nuk iu përgjigj sulmeve të Isa Mustafës, apo presioneve të Lutfi Hazirit. Gjithnjë nëpërmjet Hajredin Kuqit, lideri i PDK'së u kujdes ta përçojë mesazhin se koalicioni është i palëkundur, se dyshja Thaçi- Sejdiu funksionon më së miri dhe se disa qëndrime të drejtuesve të kësaj partie nuk ishin gjë tjetër veçse shkëndija të fushatës që nuk përfaqësojnë LDK-në e vërtetë. Po përse Hashim Thaçi nuk mundi ta ruajë deri në fund këtë sjellje dhe këtë qetësi në raport me partnerin tjetër në koalicion? Pse duhej që në natën e 19 nëntorit, brenda një ore të prishte atë që kishte ngritur për dy vjet? Me gjasë, akti i beftë i Kryeministrit, megjithëse u drejtua ndaj LDK-së, nuk duhet kërkuar vetëm tek sjellja e kësaj të fundit. Ai është pasojë edhe e shqetësimit të krijuar nga rritja e madhe e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Partia e Haradinajt gati u dyfishua në këto zgjedhje, duke paralajmëruar kështu një opozitë reale dhe serioze ndaj Qeverisë. Dhe nëse Hashim Thaçi e kishte toleruar LDK-në në fushatë, i sigurt se ajo (ashtu siç edhe ndodhi në fakt) nuk ka ku të shkojë veç sqetullës së tij, nuk u përmbajt kur partia e Sejdiut shpalli koalicione lokale me AAK'në për balotazhet. LDK edhe më parë kishte bërë koalicione në disa komuna me AAK'në, por kjo nuk përbënte problem për PDK'në për sa kohë partia e Haradinajt përfaqësonte vetëm 9 për qind të elektoratit kosovar. Tani gjërat duket se kanë ndryshuar dhe një aleancë e mundshme e këtyre dy forcave mund të përbëjë një kërcënim për PDK'në në të ardhmen. Prandaj reagimi i Thaçit natën e 19 nëntorit ka qenë i tillë. Ai është ndjerë jo vetëm i tradhtuar, por edhe i shqetësuar nga fakti se partneri i tij i koalicionit po shkonte në shtrat me armikun. Si shkak i këtij nervozizmi, ai shkarkoi Presidentin Sejdiu, Zëvendëskryeministrin Manaj dhe gjithë Ministrat, pa konsumuar më parë hapa të tjerë. Nëse Kryeministri do të ruante gjakftohtësinë, mesazhet mund t'ia kishte përcjellë më me elegancë LDK'së. Mundej, për shembull, të realizonte takime me Behgjet Pacollin dhe Nexhat Dacin dhe pa qenë nevoja fare për komente, mesazhi do të ishte i qartë. Kjo do të kishte qenë në stilin e deritanishëm të Hashim Thaçit, mirëpo këtë herë ai e humbi qetësinë. I përdori të gjithë - Zëvendëskryeministrin, AKR'në, LDD'në e RTK'në për të bërë një presion të pashënjestruar mirë. Një presion që binte mbi LDK'në, por që shkak real kishte AAK'në. Veçse në politikë duhet bërë kujdes. Presioni është një gjë dhe fakti i kryer diçka tjetër. Nuk mund ta shpallësh prishjen e një koalicioni dhe pastaj të thuash që ishte lojë, sepse kjo dëmton autoritetin dhe besueshmërinë. Në një martesë me një partner problematik, gjykata është hapi i fundit. Nëse e çon çështjen deri në divorc, kthimi mbrapa e bën qesharak çdo kërcënim tjetër. LDK e provoi për një natë edhe ndarjen dhe pastaj u kthye përsëri e qetë në "shtëpinë e përbashkët", tashmë më e sigurt se kurrë që PDK nuk mund të bëjë pa të edhe nëse ajo e ruan raportin paralel me AAK'në. Thaçi mund t'ia kishte kursyer vetes një pozitë të tillë.
(*) Marrë nga "Express"