Tiranë, 26 nëntor NOA - Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka mbledhur sot në një tryezë të gjithë liderët e koalicioni opozitar që pak ditë më parë drejtuan protestën tre ditore në Tiranë.
Rama së bashku me Gjinushin, Ngjelën, Milon, Veliajn e Legisin pas tryezës së punës u deklaruan se koha e dhënë si afat për hapjen e kutive është një kohë për të reflektuar kjo mazhorancë, e cila nëse nuk hap kutitë për të bërë transparencën vetvetiu pranon vjedhjen dhe deformimin e rezultatit zgjedhor.
"Jemi në këtë fazë të ndërmjetme dhe kohë reflektimi për pushtetin dhe për Sali Berishën. Ndërkohë jemi të gjithë në një mendje, që në emër të të gjithë atij populli të madh opozitar që përfaqësojmë, të refuzojmë më përbuzje jo vetëm gjuhën vulgare dhe agresive të përdorur nga Sali Berisha dhe nga lakenjtë e tij në këto ditë, por njëkohësisht edhe të gjitha insinuatat e turpshme që kërkojnë të njollosin këtë lëvizje të madhe popullore, duke e trajtuar si një episod që meriton epitete të cilat ne jo vetëm i përçmojmë, por njëkohësisht na bëjnë edhe më të vetëdijshëm të gjithëve për natyrën e këtij pushteti" deklaroi Rama.
Ndërsa në një prononcim për mediat kreu i PLD, Spartak Ngjela theksoi se "duhet të lajmërojmë opinionin publik vetëm për një gjë: Pas 10 ditësh, në rast se Kryeministri aktual, me gjithë darët që ka me vete, nuk hap kutitë, protesta e radhës do të jetë masive, e fuqishme, e paparë në Shqipëri.
Ne vendosëm këtu, t'i themi edhe një herë, se në rast se pas 10 ditësh nga dita që është caktuar, nuk merr vendimin për të rinumëruar votat në qendrat që duan njerëzit, atëherë shqiptarët do të ndërmarrin protestën më të madhe masive, sepse ai indirekt ka provuar se ka manipuluar zgjedhjet."
"Dëshiroj t'i jap një përgjigje Kryeministrit të Partisë Demokratike, që nuk mund të ndalë protestat popullore dhe t'i intimidojë me deklaratat e tij të turpshme dhe prej frikacaku, duke i kujtuar që në vitin 1989-1990, as diktatura nuk fliste me këtë gjuhë, atëherë kur Berisha fshihej pas nesh, dhe jo që s'ka guxuar t'ju drejtohej protestave dhe popullit në këtë mënyrë, por dridhej nga ato protesta ndonëse ishin kundër komunizmit. Pra, gjuha e forcës është gjuha e dështimit, ashtu siç do të dëshmojë nga vala e re e protestave nga dhjetori e tutje" deklaroi kreu i PSD, Skënder Gjinushi.
Nga ana e tij lideri i G99, Erion Veliaj u shpreh se "ka një kulturë që flet ditë e natë për dhunën, para dhe prapa fëmijëve, që në mënyrë grafike tregon se si duhet ushtruar dhuna mbi tjetrin. Ka qartazi një kulturë e cila po mbjell idenë e dhunës dhe po i jep licencë për dhunë kujtdo militanti të verbuar.
Prova e qartë për të gjitha nivelet e dhunës u dha në protestën e fundit, që ishte protesta më paqësore e organizuar në Shqipëri. I kërkojmë qytetarëve të tregohen të vetëpërmbajtur, sepse asnjëherë nuk jemi promotor dhe as aplikues të dhunës në Shqipëri. Këto protesta do të mbahen si hera e parë, ku në mënyrë paqësore do të kërkohet e drejta dhe jo në mënyrë të dhunshme ashtu siç po provokohet dita-ditës."
k.k/NOA