Tiranë, 26 nëntor, NOA - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka pritur në një takim drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Pierre Mirel dhe ambasadorin e Komisionit Evropian në Tiranë z. Helmut Lohan.
Në këtë takim që u diskutua në një atmosferë miqësore kreu i opozitës ka bërë të ditur qëndrimin e Partisë Socialiste për të mos hyrë në Kuvend derisa ky institucion të bëhet legjitim.
"Unë bëra të qartë pozicionin e opozitës para përfaqësuesve evropianë se ne nuk hyjmë në parlament deri kur të plotësohen të gjitha kushtet, që parlamenti të konsiderohet legjitim, të konsiderohet demokratik, të konsiderohet vendi ku shqiptarët përfaqësohen drejtësisht dhe ku ato që aprovohen pastaj edhe zbatohen", mësohet të jetë shprehur Rama lidhur me një fakt të tillë.
Ndërkohë shtoi se hapja e kutive është kushti themelor për t'i dhënë parlamentit legjitimitetin e munguar dhe njëkohësisht për të mos lejuar që shëmtia e zgjedhjeve të shkuara të përsëritet dhe që Shqipëria të hyjë në një cikël i cili do të ishte një skemë e mbyllur ku pushteti numëron pavarësisht sesi voton populli.
n.e/NOA
Â