English

Shpërthen debati për identitetin francez

Ministri francez për Emigracion, Eric Besson, e nisi këtë fushatë, të pagëzuar Debati i Madh, në fillim të këtij muaji në faqen e tij në internet, ku qytetarët mund të shkruajnë qëndrimet e tyre për atë se çfarë do të thotë të jesh francez. Ministria ka theksuar se vetëm gjatë dy javëve të para janë postuar mbi 32 mijë komente

Nga Associated Press

Debati i madh filloi gjatë ditës së djeshme me pyetjen e madhe:"Për ju, çfarë do të thotë të jesh francez?" Nuk është ky ndonjë ushtrim pompoz akademik në shkollat elite të Francës e as ndonjë shou televiziv. Është kjo një përpjekje e qeverisë franceze për të qartësuar-me pjesëmarrjen e qytetarëve - vlerat e kombit, i cili po përballet me tendosje gjithnjë e më të mëdha, pasi që traditat, të cilat i kanë sjellë emigrantët, po bien ndesh me vlerat tradicionale franceze. Ministri francez për Emigracion, Eric Besson, e nisi këtë fushatë, të pagëzuar Debati i Madh, në fillim të këtij muaji në faqen e tij në internet, ku qytetarët mund të shkruajnë qëndrimet e tyre për atë se çfarë do të thotë të jesh francez. Ministria ka theksuar se vetëm gjatë dy javëve të para janë postuar mbi 32 mijë komente. Dje u zhvilluan debatet e para lokale nga qindra debatet e këtilla, të cilat janë paraparë të zhvillohen gjatë dy muajve të ardhshëm. Tema të debateve do të jenë historia, kultura, religjioni dhe gjuha franceze. Në këto debate synohet të adresohen disa propozime, siç është kuptimi i simboleve kombëtare, si flamuri apo propozimi se a duhet të rinjtë të detyrohen që së paku një herë në vit të detyrohen të këndojnë himnin kombëtar. Do të debatohet edhe për atë se si duhet të ndahen këto vlera me emigrantët. "Franca është një shtet i tolerancës dhe i respektit, por gjithashtu edhe e kërkon respektin", tha në fillim të këtij muaji presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy. Franca është një shtet i emigrantëve, por së fundi pjesa më e madhe e njerëzve, të cilët janë vendosur në Francë, vijnë nga shtetet tjera të Europës. Emigrantët nga vendet tjera, para se gjithash ata nga ish-kolonitë myslimane të Francës, janë pjesë e kësaj përzierjeje. Me 5 milionë myslimanë, Franca ka popullatën më të madhe myslimane në Europën Perëndimore. Por, nisma është mjaft kundërthënëse. Socialistët në opozitë debatin për identitet kombëtar e kanë cilësuar si lojë politike, e cila ka për qëllim që të joshë votat e partisë së djathtë, Fronti Kombëtar, e cila e kundërshton emigracionin, në prag të zgjedhjeve rajonale të cilat do të zhvillohen në mars. Intelektualët dhe filozofët janë të përçarë, siç janë edhe shumë qytetarë, të cilët janë të mendimit se debati do të nxitë ksenofobinë. Komentet në faqen e Ministrisë pasqyrojnë shumëllojshmërinë e qëndrimeve. Francois theksoi se frikësohet që "francezët do të përfundojnë si indianët në Amerikë, si pakicë në shtetin e tyre". Sarkozy, i biri i emigrantëve nga Hungaria, duket se ka një vizion të qartë për identitetin kombëtar të Francës - apo për atë se cili nuk është ky identitet. Gjatë një fjalimi të tij, të mbajtur së fundi, ai sulmoi sërish perçen - veshjen e femrave myslimane - duke theksuar se "në Francë nuk ka vend për mbulimin e femrave. "Debati për identitetin kombëtar nuk është i rrezikshëm, ai është i domosdoshëm", kishte theksuar Sarkozy. Sarkozy është zotuar se do ta forcojë ndjenjën e francezëve për identitet kombëtar, gjatë fushatës që bëri për zgjedhjet presidenciale në vitin 2007. Ai me shpejtësi formoi Ministrinë për Emigracion, si dhe ato për Integrim, Identitet Kombëtar dhe Solidaritet. "Më habit ky debat. Është kjo një ngjarje politike dhe nuk është nevojë", tha Emanuelle Saada, sociologe dhe historiane. "Identiteti kombëtar nuk duhet të përcaktohet si një normë, e cila do të na kënaqë. Identiteti kombëtar thjesht ndodh. Ai është jashtë kontrollit tonë. Për të nuk duhet të vendosin qeveritë", shtoi ajo. Hicham Kochman, një reper i njohur me emrin Axiom, thotë se debati për identitetin kombëtar është një diversion. "Mendoj se ky debat fsheh problemet e vërteta, siç është papunësia. Vlerat e vetme në Francë janë liria, barazia dhe vëllazëria. Sa herë që ndodhin padrejtësi, këto vlera dobësohen. Për mua, Franca nuk është një shtet. Është një ide", tha Axiom.

KOMENTE