Prishtinë, 26 nëntor, NOA - Rezultatet përfundimtare për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit pritet që të shpallen ditën e sotme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës.
Kjo pas një vonese të krijuar në mënyrë artificiale për shkak të shtimit të ankesave nga ana e subjekteve të ndryshme politike, pjesëmarrëse në këto zgjedhje që i paraqitën mbi parregullsitë në procesin e numërimit dhe atë të votimit në disa zona.
Ndërkaq, mësohet se komisioni për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar rezultatet e zgjedhjeve në 15 vendvotime pas konstatimit se ka patur "shkelje ligjore gjatë procesit të votimit".
Tetë nga këto vendvotime janë në Gjakovë, tri në Lipjan, dy në Shtime, një në Malishevë dhe një në Shtërpcë.
Por vendimin për anulimin e rezultateve në disa vendvotime të Gjakovës e ka përshëndetur Aleanca Kosova e Re, e cila kishte paraqitur ankesat më të mëdha për keqpërdorim të mundshëm të votave.
n.e/NOA