English

Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, falje nëpër xhamitë e Tiranës

Tiranë, 27 nëntor, NOA - Besimtarët myslimanë festojnë sot festën e Kurban Bajramit dhe në Tiranë ata janë duke kryer ritin e faljes para xhamisë kryesore të qytetit, atë të Et'hem Beut.

Ndërkaq, edhe në xhaminë e Prishtinës, besimtarët myslimanë falën këtë mëngjes Namazin e Kurban Bajramit. Muftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në mesazhin e tij ka thënë se kjo ditë përforcon ndjenjën e humanitetit, të solidaritetit dhe të bamirësisë.

Festa e madhe e besimtarëve myslimanë, ajo e Kurban Bajramit shoqërohet me një drekë të bollshme dhe bërjen e një kurbani.

Festa e Kurban Bajramit ka si qëllim të saj frymëzimin e dashurisë, të triumfit të së mirës ndaj së keqes, vetëpastrimin e shpirtit dhe mbetet një simbol i sakrificës.

Sipas përfaqësuesve të këtij besimi fetar, prerja e kurbaneve është një prej treguesve të afrimit tek e vërteta.

Kurban Bajrami është një ndër dy festat e besimtarëve myslimanë krahas Fitër Bajramit. Në këtë ditë bëhet kurban për hir të Zotit dhe mishi u dhurohet të varfërve.

Në thelb, kjo festë është përkujtim dhe ripërtëritje e aktit të Profetit Ibrahim, të konsideruar "baba i profetëve", i cili u tregua i gatshëm të sakrifikonte djalin e tij, Ismail, nga një urdhër i Zotit përcjellë në ëndërr.

Po kështu, Kurbani ka edhe vlerën e falënderimit të Zotit për furnizim nga dhuntitë e Tij.

n.e/NOA

KOMENTE