English

Debati për emrin, sot takimi mes Gruevskit dhe Papandreut në prani edhe të Berishës

Shkup, 27 nëntor, NOA - Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski dhe homologu i tij grek, Jorgos Papandreu sot në Prespë do të realizojnë një takim, në të cilin temë kryesore do të jetë çështja e çështja e emrit kushtetues të Maqedonisë.

Ky takim, i cili do të zhvillohet pas një takimi trepalësh rajonal për efektet e ngrohjes globale, ku do të marrë pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, vjen si rezultat i thirrjeve të vazhdueshme të zyrtarëve të lartë evropianë për bisedime direkte mes dy vendeve, për të gjetur një zgjidhje më të shpejtë për çështjen e emrit.

Analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike në Maqedoni nuk mendojnë se takimi i paralajmëruar mes kryeministrit të Maqedonisë dhe atij grek, Jorgos Papandreu do të sjellë përparim në zgjidhjen e mosmarrëveshjes për emrin mes dy vendeve fqinje.Profesori universitar Veton Latifi theksoi se takimi, ndonëse është për t'u përshëndetur, nëse ai nuk sjell përparim, nuk duhet parë si një zhvillim i madh, pasi zyrtarët e lartë të vendeve është e zakonshme që të takohen. "Është normale që të takohen dy kryeministrat, çështja është që të gjendet një zgjidhje. Maqedonia nuk ka rrugë tjetër veç asaj që të gjejë formën sa më legjitime që çështja të zgjidhet,"deklaroi Latifi.

Gruevski "kurban" i Papandreut

Debati për zgjidhjen e kontestit të emrit do të lë në hije takimin trepalësh midis kryeministrave të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, Shqipërisë Sali Berisha dhe Greqisë, Jorgos Papandreu, për të diskutuar për problemet e ambientit jetësor në zonën e Prespës,trekëndëshi që lidh tre shtetet fqinje. Para këtij takimi të sotëm janë dhënë sinjale optimiste për rrjedhën e bisedimeve kokë më kokë që do të pasojnë midis Papandreut dhe Gruevskit. Mediat greke kanë theksuar se Papandreu do të pres nismën pikërisht nga homologu i tij nga Shkupi, sepse siç shkruan "Etnos", Athina zyrtare tashmë e ka përcaktuar vijën e kuqe, duke u mbështetur në propozimin për gjetjen e një emri me përmbajtje gjeografike, por duke mohuar edhe identitetin dhe gjuhën "maqedonase", që është një kod kombëtar dhe institucional për qytetarët shumicë në Maqedoni. Subjektet politike shqiptare kanë kërkuar përgjegjësi më të madhe nga Gruevski. PDSH ka ripërsëritur qëndrimin se Gruevski nuk ka kapacitete për të zgjidhur këtë problematikë. Lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi ka deklaruar se kjo qeverisje edhe përkundër absolutizmit të pushtetit nuk ka kapacitete të zgjidh problemet e mëdha në vend. Nga ana tjetër BDI dhe lideri i saj, Ali Ahmeti janë shprehur optimist që të arrihet një zgjidhje e shpejtë për emrin.

"Ka ambient të mirë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme mes dy vendeve dhe të punojmë për paqen dhe për të ardhmen e vendit. Duhet të presim dhe të jemi optimistë dhe të mos shohim vetëm zi. Unë pres vendime konkrete dhe të arrihet një zgjidhje", ka theksuar Ahmeti. Shumica e subjekteve politike kërkojnë që takimi të jetë produktiv, por partia e kryeministrit Gruevski, është treguar e rezervuar për suksesin e takimit. Edhe vetë kryeministri tha se nuk besonte se takimi do të sillte një zgjidhje. Diplomatët në Shkup, përsërisin vazhdimisht se afati deri më 7 dhjetor, duhet parë si mundësi për të zgjidhur problemin rreth 20 vjeçar mes dy vendeve fqinje. Në të kundërt, Maqedonia mund të mbesë në vend në rrugën e saj drejt BE-së, gjë që si paralajmërohet, mund të shkaktojë ngadalësim në zhvillimin e vendit në përgjithësi.

PE: Çështja e emrit duhet të zgjidhet

Deputetët e Parlamentit Evropian (PE) të enjten në Strasburg kanë votuar pro rezolutës "Strategjia e zgjerimit të BE-së, që ka të bëjë me vendet e Ballkanit Perëndimor, Islandën dhe Turqinë". Parlamentin Evropian, ka vërtetuar gatishmërinë e Bashkimit Evropian, që vendet e Ballkanit Perëndimor të pranohen në BE, por me respektimin rigoroz të kushteve të parapara. Me anë të kësaj rezolute PE i bën thirrje Bashkimi Evropian që t'i mundësojë Maqedonisë fillimin e negociatave përfundimtare për anëtarësim në këtë organizëm. Në tekstin e rezolutës të përgatitur nga europarlamentari italian, Gabriele Albertini përmendet edhe çështja e pazgjidhur e emrit të Maqedonisë.

Ajo sugjeron që Greqia dhe Maqedonia të gjejnë një zgjidhje për këtë çështje deri në 7 dhjetor kur do të merret vendimi për Maqedoninë. Në të thuhet se qeveria në Shkup duhet të anashkalojë deklarata apo veprimet që mund të kenë efekte negative në marrëdhëniet mes dy vendeve. Për zyrtarët evropianë, marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore janë të rëndësishme dhe në këtë kontekst për Maqedoninë si pozitive përmendet vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. Diplomatët evropianë përsërisin që zgjidhja për emrin do të ishte mirë të zgjidhej deri më 7 dhjetor, ndërkohë që Greqia ka paralajmëruar bllokim të rrugës të Maqedonisë, nëse kjo nuk ndodh.

NOA-INA

KOMENTE